Demokratët vazhdojnë të shprehin pa rezerva pakënqësinë dhe irritimin e tyre për mënyrën se si u prodhuan listat me kandidatë për deputetë të Partisë Demokratike, për zgjedhjet e 11 majit.
Daniel Nikolla, një ndër anëtarët më aktivë të Partisë Demokratike në diasporë, konkretisht në Britaninë e Madhë, i cili mori pjesë në primaret e 1 marsit në Qarkun Tiranë, ishte një ndër kontributorët e partisë që u la jashtë listave.
Përmes një postimi në rrjetet sociale. Nikolla shpreh zhgënjimin e tij për listat aspak meritokratike të PD, me kandidatë për deputëtë në zgjedhjet e 11 majit.

Postimi i plotë:
“Të tretat” e listave
Telefonatave, mesazheve, “ngushëllimeve”, për mospraninë time në listat e kandidatëve për deputet u jam përgjigjur kryesisht. Padiskutim që një individ kur i hyn një gare, që nga shkolla elementare e deri në ato me peshë si kjo e listës së deputetëve dhe që udhëhiqet nga intelekti, duhet t’i pranojë si rregullat ashtu dhe rezultatet. U informoj se pa vonuar i jam rikthyer aktivitetit normal ku jetoj në Britani të Madhe, si në pune ashtu dhe në aktivitetin tim modest politik.
A është kjo listë ajo që më mbush mua politikisht ?. Për të qenë i sinqertë JO.
Do doja të lexoja në atë listë më shumë emra të rinjsh, veçmas nga “Brain Gain” strukturë ku aderoj, po ashtu nga diaspora, sidomos nga UK, gjë për të cilën do të punoj me mundësitë që kam në vijim.
Përfaqësimi politik duhet të fitojë të drejtën e qytetarisë me patjetër e nëse kjo nuk arrihet në një periudhë të afërt, padiskutim që është dështim dhe për brezin tim.
Por përtej kësaj, kjo listë ka personalitete të shumta, të cilët nuk kanë të krahasuar me kundërshtarin, së paku kjo më ngushëllon dhe më inkurajon për mbështetjen time ndaj PD-së.
Nuk mund të mos falenderoj degët e PD në UK dhe atë Nr. 3 në Tiranë, për mbështetjen e tyre e po ashtu shumë të çmuarit votues të mi.
Diaspora i ka borxh Shqipërisë një votë që i mundëson rotacionin normal të pushtetit dhe largimin e kësaj klike uzurpatore majtiste. Sikundër PD nesër në qeveri, e ka për detyrë të shenjtë t’i përmbushë diasporës të gjitha ato nevoja që ua kemi adresuar në mënyrë të përsëritur politikaneve të djathtë që na vizituan muajt e fundit.
Le të jenë këto “të treta”, një shembull për reagim qytetar, të matur dhe të drejtpeshuar, së paku me një reflektim tre ditor të mjaftueshëm për t’i ndarë emocionet me logjikën.
Po e mbyll me një shprehi të Boris Jonson, kur la detyrën “Primare, hasta la vista baby”.
Komente

