Kryeministri Edi Rama vijon reagimet në rrjetet sociale duke risjellë prononcimet dhe intervistat e artistëve dhe personazheve të njohura për Teatrin Kombëtar. Në postimin e dytë ditën e sotme, Rama solli një intervistë të Jusuf Vrionit, për të cilin thotë se e çmonton thjeshtë marrëzinë monumentale mbi “vlerat arkitekturore” të ngrehinës së Teatrit Kombëtar. 'Ja se sa thjeshtë e çmonton tërë marrëzinë monumentale mbi “vlerat arkitekturore” të ngrehinës së Teatrit Kombëtar, njëri ndër shqiptarët më të sojmë dhe më të ditur; shqiptari erudit që shkëlqeu salloneve mondane të Francës e të Italisë së paraluftës dhe u dergj burgjeve komuniste të pasluftës; ai që siç thoshte Gianni Agnelli “e flet italishten më mirë se unë” dhe që e bëri Kadarenë të lexohet në një frëngjishte mahnitëse për vetë francezët, i paharruari Jusuf Vrioni" shkruan Rama. Por cfarë ka deklaruar Jusuf Vrioni? Përkthyesi rebel ndaj regjimit komunist njëkohësisht edhe diplomat i njohur ka shprehur në një intervistë shume vite më parë nevojën për shembjen e godinës së teatrit, pasi nga ana e konstruksionit dhe materialeve me të cilat ajo është ndërtuar, duhet të qëndronte në këmbë për një periudhë të përkohshme vetëm 25 vite.
“Ne ishim në Kapri me të bijën e nën presidentit të senatit, shoqe me një renigalicinë ( një princeshë ruse) edhe me një grup tjetër një kushëri i dytë. Nejse një grup njerëzish që me të vërtetë ishin ajka e asaj kohe, ajka relative, ajka të themi ajka snob njëkohësisht në shoqëri kishin një farë pushteti edhe është interesant se njëra ishte shoqe me këtë Eda Çonën edhe na çoi në shtëpinë e saj ku u njohëm. Unë ndenja më vonë edhe u lidhëm një farë muhabeti po flisnim për letërsi për shumë gjëra ishte një grua shumë shumë e hapur.
Është një episod i çuditshëm që lidhet me një ngjarje tonë të fundit vila e saj midis Kaprit dhe AnaKaprit ishte bërë me një material të një shoqërie, një material që ishte për 25 vjet. Mbas 25 vjet duhej të rrëzohej dhe më vjen keq për këtë polemikë që është bërë këtu në lidhje me këtë Teatrin tonë Kombëtar dhe ai është ndërtuar me të njëjtin material edhe normalisht me rregullat e konstruksionit, pavarësisht nuk më vjen keq ta them nga afati unë e ndaj atë preokupimin e njerëzve të teatrit po si ndërtesë ajo duhesh rrëzuar absolutisht. Ajo nga ana teknike duhesh rrëzuar edhe ndërtesa e kësaj Eda Çanës është rrëzuar”, është shprehur Jusuf Vrioni.
Jusuf Vrioni është një prej personaliteteve më të spikatur të kulturës, madje në 2006, për mirënjohjen dhe vlerësimin për kontributin e çmuar në njohjen dhe promovimin e letërsisë shqipe në gjuhë dhe kultura të huaja, Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve në qeverinë Berisha krijoi çmimin Jusuf Vrioni. Vrioni më 13 shtator 1947 arrestohet nga regjimi diktatorial dhe akuzohet për spiunazh dhe agjitacion e propagandë. Prej shkurtit 1949 e deri më prill 1950 burgoset në njërën prej shtatëmbëdhjetë qelive famëkeqe të Koçi Xoxes. Në korrik 1950 dënohet me pesëmbëdhjetë vite heqje lirie dhe punë të detyruar, pjesë të dënimit e kaloi në burgun e Burrelit. Lirohet në fund të vitit 1958 dhe internohet ne Fier për një periudhë disamujore. Ai njihet dhe si përkthyesi i Ismail Kadaresë, ku ndër përkthimet e tij të para numërohet Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur i Ismail Kadaresë, i cili më vonë u botua në Paris.
Në vitet e para të Shqipërisë post-diktatoriale, Jusuf Vrioni, falë posturës së tij multidimensionale si intelektual, angazhohet në qarqet e shoqërisë civile dhe për një kohë shërben si Kryetari i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Më 1998 emërohet Ambasador i Republikës së Shqipërisë në UNESCO dhe më 22 maj të këtij viti, për kontributin e tij të pasur në gjuhën frënge, dekorohet nga Republika Franceze me urdhrin Chevalier de la Légion d’Honneur, ashtu si dikur i ati, Ilias Bej Vrioni, ish dekoruar në fund të viteve 1920 me urdhrin Grand Officier de la Légion d’Honneur nga Republika Franceze. Jusuf Vrioni ndërroi jetë në Paris në maj 2001 ndërsa shërbente si Ambasador i Republikës së Shqipërisë në UNESCO.