Teatri i akullt, 150 litra naftë
për të ngrohur sallën çdo natë

Teatri i akullt, 150 litra naftë <br />për të ngrohur sallën çdo natë
Amadeus", një shfaqje gazmore e tragjike në të njëjtën kohë është e vështirë të shijohet deri në fund, këto ditë të ftohta janari në sallën e madhe të Teatrit Kombëtar në Tiranë. Temperaturat në mbrëmje janë pranë zeros. Spektatorët që rendin drejt tetarit kombëtar, janë të veshur trashë, me xhupa e pallto.
Salla e madhe e Teatrit Kombëtar është ngrohur që më parë. Por vetëm pak minuta ambienti është i ngrohtë. Shpejt të gjithë spektatorët mbështillen mirë poshtë veshjeve të trasha e struken në ndenjëset e kuqe të sallës që sa vjen e ftohet. Deri në fund të shfaqjes, kur aktorët rendin drejt fillimit të skenës e përkulen para publikut, ky i fundit mezi pret të largohet prej aty, me këmbët e ngrira dhe i mpirë prej të ftohtit.
"Amadeus" rishfaqet sërish nesër në mbrëmje në Teatrin Kombëtar. Kjo skenë e përshkruar më lart pritet të realizohet deri në detaje edhe në këtë rikthim të ri të 'Amadeusit' për 2012-ën.
Çdo dimër, në këtë teatër, sikurse edhe në Teatrin e Operas dhe Baletit, pak metra më larg, ndodh i njëjti ritual. Spektatorët dhe artistët bëjnë art dhe shijojnë art në kushte aspak normale.

10 mijë litra karburant çdo dimër
Kjo sallë teatrore, e kësaj godinë historike, e amortizuar dhe me një sistem ngrohje tejet të vjetruar, harxhon qindra litra karburant për të ngrohur ambientet e sërish salla është e akullt. Pesë muajt më të vështirë janë: dhjetori, janari, shkurti dhe marsi. Por sa harxhohet çdo vit për të realizuar ngrohjen që sërish nuk është ngrohje në këtë sallë teatrore?
Nëndrejtori i Teatrit Kombëtar, Besim Kurti thotë se salla e madhe e tetarit kombëtar, ka një kaldajë, e cila është vendosur që para 20 vitesh.
"Me kalimin e kohës, kjo kaldajë, sa vjen e rrënohet më shumë. Ajo nuk arrin ta mbajë ngrohtë atë ambient", thotë ai, ndërsa shpjegon se për ngrohjen e saj, kaldaja harxhon 40 litra naftë në orë. "Që të arrihet një ngrohje e përshtatshme duhen harxhuar të paktën 150 litra karburant në natë. Kostoja, sidomos me çmimet e sotme të naftës, është mjaft e lartë". Në muajt e ftohtë të vitit Besim Kurti rendit pesë: "Janë muajt dhjetor, janar, shkurt, mars, të cilët janë të ftohtë dhe kanë nevojë që të funksionojë si duhet sistemi i ngrohjes".
Nëse çdo javë shënohen tre-katër net me shfaqje në këtë sallë, harxhimi i karburantit për 5 muajt e ftohtë kap shifrën e 10 mijë litrave karburant. Kjo histori vijon që prej 20 vitesh.

Si funksionon kaldaja
Nëndrejtori Kurti shpjegon se radiatorët janë të vjetër, prej gize. Ata duhet të ngrohen gjatë gjithë kohës, pasi nëse kaldaja fiket ambienti ftohet shumë shpejt. Ish-drejtori i teatrit kombëtar Xhevdet Ferri ankohej para shumë vitesh për të njëjtin problem. Ai thoshte se në fillim të shfaqjes ishin të detyruar t'i fikin kaldajat pasi shkaktonin zhurmë. Për këtë arsye ambienti i ngrohur gjatë dy orëve para se të niste shfaqja ftohej shpejt, pothuajse për 15 minuta.
E njëjta gjë ndodh edhe sot në këtë sallë. Nëndrejtori aktual i Teatrit Kombëtar, Besim Kurti shpjegon se sistemi i ngrohjes është me ujë, i cili ngrohet dhe kalon nëpër tuba, të cilët ngrohin radiatorët. Tubacionet janë të gjatë dhe kalojnë në mur dhe nëntokë. Por kontakti që kanë këta tubacione me muret e ftohta e pengon të ngrohtën dhe bën që ajo të humbë rrugës.
"Sipërfaqja është më e madhe dhe kaldaja është e vjetër. Për një shfaqje që është në orën 21:00, ne e lemë ndezur kaldajën deri një orë para. Rreth orës 17:00 e ndezim për të arritur pikun aty nga ora 18:30", shpjegon Kurti, duke theksuar se me këto kushte kjo është e vetmja mënyrë për të ngrohur disi atë ambient.

Një projekt për sistem të ri ngrohjeje
Në teatrin Kombëtar mësojmë se që para 3 vitesh u hartuan dy projekte për sistem ngrohjeje në Teatrin Kombëtar dhe u dërguan në Ministrinë e Kulturës. Por nga këto dy projekte u miratua fillimisht projekti për sallën e vogël të teatrit e cila sot i ka kaluar Teatrit Kombëtar të Komedisë. U zgjodh fillimisht ajo sallë pasi ishte më emergjente, ajo ishte krejt pa ngrohje.
Por ndërsa problemi i ngrohjes për sallën e vogël tashmë është zgjidhur, në Tetarin Kombëtar shpresojnë që këtë vit të ketë një ndërhyrje për sallën e madhe.
Nëse nuk do të bëhet një ndërhyrje e shtrenjtë, sepse ky është një projekt që kushton, atëherë, nëndrejtori Kurti, shpjegon se duhet bërë një ndërhyrje emergjente me një projekt tjetër, që tubacionet të mos jenë direkt jashtë dhe të ndërtohet një korridor duralumini, i cili do të shërbejë edhe për të qëndruar aktorët, edhe për t'u vënë si mbrojtëse për të ftohtën.
Por kjo është thjeshtë një ide, pasi edhe kjo ndërhyrje emergjente mund të mos ndërmerret kurrë. Kjo pasi në planet afatgjata të qeverisë, prej disa vitesh është zhvendosja e Teatrit nga godina ekzistente, në një godinë tjetër, të re dhe më shumë funksionale.
Nga ideja për ta zhvendosur tek Piramida, e më vonë tek ideja tjetër për ta zhvendosur në ambientet aktuale te Parlamentit, duket se jeta teatrore e kësaj salle do vijojë kështu, me këtë kaldajë të vjetër dhe artdashësit që vijnë në teatër e shohin shfaqje duke u dridhur nga të ftohët.

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Kongresi i PS/ Delegatët votojnë për Asamblenë e re, prezantohet platforma ‘Deputeti që Duam’! Ministrat tregojnë objektivat

Kongresi i PS/ Delegatët votojnë për Asamblenë e re, prezantohet platforma ‘Deputeti që Duam’! Ministrat tregojnë objektivat