Korruptimi i politikës është veprimi i më i rëndomtë që kryhet mbi të prej institucioneve dhe “vendeve të saj specifikë”. Autorët bashkëkohorë të filozofisë dhe shkencës politike e kanë vënë re se kjo është dukuri shumë e përgjithësuar në perëndimin e sotëm parlamentar dhe neoliberal. Ndërkohë që rezistencat që prodhonte shoqëria përmes grupeve ku rizgjohej mendimi dhe ushqehej vullneti po bëhen gjithnjë e më të mangët.
Kosova, me dashjen apo pa dashjen e saj, është skena ku bashkë me korruptimin më të tmerrshëm gjejmë rezistencën më të lartë dhe më komplekse në tri linja kryesore: ndaj reduktimit të parlamentit në ekzekutiv partiako-presidencial, ndaj fshirjes së sociales dhe demokracisë në privatizim dhe arbitraritet, ndaj fshirjes së diversitetit të botës në trajtën kolonialiste.
Lëvizja Vetëvendosje është pikërisht bartësi i kësaj rezistence të trefishtë politike, në një Evropë ku një rezistencë e tillë është bërë e krejt e pamundur. Kundërshtarët e saj e quajnë populiste sepse nuk dijnë ndonjë term tjetër për ta denigruar. Ndërkohë, tërë këta kundërshtarë janë vetëm korruptuesit e politikës, janë flamurtarët e vdekjes së shpresës, besimit dhe vullnetit. Në Tiranë nuk ka rezistencë, në Prishtinë ajo është fort e artikuluar. Tiranën dhe Prishtinën i bashkon korruptimi, shprishja e politikës dhe çka shkon bashkë me të: dëshira e njerëzve për me ikë prej atdheut të tyre.
Partitë dhe mediat kanë hedhur mbi popullin diskredititn e atdheut. Fenomeni me i fundit që ndodhi në LV ishte bashkëpunimi i tërë këtyre flamurtarëve të korruptimit nga frika se LV krijon një përmasë të re të qëndrimit dhe punës, të besimit dhe vullnetit. Tiranën dhe Prishtinën i dallon rezistenca dhe Lëvizja Vetëvendosje! Ndaj dhe tërë ato thirrje për t’u krijuar një e tillë në Tiranë. Por, për këtë duhet të ketë sa më shumë bartës të teksteve politikë e jo të pjesshëm, kolektivë dhe jo të partishëm, teoriko-praktikë dhe jo vetëm ekspertë
Bashkëpunimi i errët i tërë partive ekzistuese në trojet shqiptare kundër LV-së përfundoi me suksesin e dobët të ikjes së disa deputetëve, por jo të çarjes së LV-së. Për herë të disatë, në gji të parlamentit të Kosovës, ne shohim disa trupa deputetë të cilët tani nuk dinë se në ç’drejtim do të rendin, pasi e kanë kuptuar tashmë se aleatët e tyre të mundshëm, AAK, PDK, LDK, Nisma, AKR, etj, janë parti pa tekst. Këta deputetë të ikur e dinin që më parë se partitë e tjera janë ndërtuesit e mëdhenj të shprishjes, korruptimit, por nuk e vlerësuan aspak se këto janë dhe grupime njerëzish pa tekst politik.
Si rëndomë shfaqet e dhunshme këshilla: duhet të kuptohet që herët ajo që historia na i mëson shumë vonë. Puna kundër politikës, nuk lë asnjë shenjë, puna kundër shpresës dhe besimit, kundër themelimit dhe ndërtimit, tradhtia ndaj projekteve, të gjithë këta veprime nuk lënë asnjë shenjë dhe nuk prodhojnë asnjë tekst. Dinakëria e tradhtisë është se ajo lë pasoja, por jo shenjë. Si e tillë harrohet, dhe si e harrueshme përsëritet. Ky është virtyti i vetëm i tradhtisë, përsëritet pa vazhdimësi. Në historinë shqiptare ne ngremë lart dhe i thurim lavde vetëm njerëzve që kanë dhënë për këtë vend, por nuk ekziston asnjë shkrim i tradhtarëve. Tradhtarët jetojnë shkurt, për ta kujtesa jonë është e barabartë me fiziken e tyre.
Korruptimi i përgjithshëm i Shqipërisë dhe Kosovës, si shtete të shqiptarëve, konsiderohet nga tërë institucionet e Kosovës, si stabilitet në rajon, pikërisht sepse i ngjan gjendjes së ulët në të cilën është katandisur të qenit politik i popujve kudo në botë, e sidomos në perëndim. Në perëndim rrënimi është më i lartë psikologjikisht, sepse vlerat për t’u mohuar janë më lart institucionalisht. Shoqëritë e Evropës nuk mund të vënë më në punë tekstet e tyre. I braktisin sepse poshtërsia dhe ndyrësia e realitetit të tyre e bën të padurueshëm kërkesën morale historike dhe filozofike që po tretet nëpër bibliotekat e tyre të famshme. Në vend të shpresës turpi, në vend të besimit korruptimi.
Në këta kushte është një fat të ekzistojë një rezistencë në formë lëvizjeje dhe kolektivi ku prodhohet tekst që merr pjesë në tekstin global. Është fat të jesh aktivist i një lëvizjeje ku prodhohet tekst. Teksti është natyra e punës së politikës dhe kolektivave të saj. Përkundër tërë korruptuesve që në vend të tekstit militojnë për një gjë që nuk iu takon: tregun global.
LV prodhon tekstin e politikës dhe bashkimit të njerëzve, ndërsa tërë partitë shqiptare prodhojnë tregun e politikës dhe ikjen e njerëzve. Kush mendon se punon për treg global, nuk e di se nuk ka për të ekzistuar më si tekst lokal. Bota është vendi lokalëve dhe jo globalëve. Përndryshe ajo do të kthehej në një rruzulli të vdekur oligarkike, të boshatisur prej trupave, tekstit dhe variantit të saj historik.
Treg kundër tekstit. Tekst pro një populli sovran. Kjo është një prej figurave në të cilat punohet sot. Janë partitë politike që dalin prej natyrës së tyre duke u kthyer në ndërmarrje finance e biznesi. Dhe është Lëvizja Vetëvendosje! që punon për me ringjall në disa përmasa domosdoshmërinë e njerëzve ne politikë, ose domosdoshmërinë e politikës mes njerëzve.
d.b/shqiptarja.com