Qeveria ka reaguar ndaj një shkrimi të BIRN për tenderin e sterilizimit të Ministrisë së Shëndetësisë duke i cilësuar të pavërteta pretendimet.
 
Sipas BIRN, kompania e një biznesmeni të vogël ka fituar tenderin nëfjalë dhe se vlerësimi i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave është i pasaktë pasi në dy vendime janë dhënë pikë të ndryshme për fituesin, ndërsa oferta e paraqitur nga kompania fituese kalon fondin limit të këtij tenderi.
 
Në reagimin e qeverisë thuhet se, ky tender nuk është fituar e as i është dhënë një personi të vetëm, por është një bashkim operatorësh ekonomikë që udhëhiqen nga “Servizi Italia Spa”, një kompani e kuotuar në bursën italiane dhe me një përvojë 30-vjeçare ndërkombëtare në këtë sektor.
 
Lidhur me vlerësimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave KVO-së, thuhet se vendimi i parë i tij është ankimuar nga pala humbëse, e cila ka ndjekur shkallët e gjykimit në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.
 
Në datën 26 maj 2015, KVO-ja ka marrë vendimin duke renditur kompaninë “Servizi Italia” në vend të parë me 73.98 pikë, ndërsa kompaninë “Action Laundry” në vend të dytë me 42.83 pikë.
 
Më pas, kompania “Action Laundry” ka bërë ankimin e rezultatit në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP) i cili vendosi rivlerësimin e ofertave përfshirë edhe korrigjimin e gabimit në mbledhjen aritmetike të pikëve në total dhënë operatorëve ekonomikë pjesëmarrës (theksojmë se ky gabim nuk e ndryshonte renditjen e operatorëve).
 
Në zbatim të këtij vendimi është kryer rivlerësimi i plotë i procedurës dhe më datë 29 shtator 2015, KVO-ja miratoi renditjen përfundimtare ku “Servizi Italia” është sërish në vend të parë me 91.02 pikë dhe “Action Laundry” në vend të dytë me 43.91 pikë.
 
Për sa i përket pretendimeve se oferta e kompanisë fituese është me e madhe se fondi limit, vlera prej 1,003,780,000 lekë që pretendohet se është kosto e vjetore e shërbimit të ofruar nga “Servizi Italia” është e pavërtetë, thuhet në reagimin e qeverisë.
 
“Kjo vlerë e sajuar prej kompanisë ankimuese, nuk është llogaritur mbi bazën e kritereve të përcaktuara në dokumentin standard të tenderit, por mbi të dhëna fiktive e spekulative. Konkurrenti që është ankuar, ka shpikur qëllimisht një shpërndarje të pavërtetë të ndërhyrjeve kirurgjikale, me qëllim krijimin e një situate të paqenë në vlerën vjetore të furnizimit të set-eve të instrumenteve kirurgjikalë të sterilizuar dhe materialeve mjekësore njëpërdorimëshe të ofertës fituese”, përfundon reagimi.