/ATSH/.- Rindërtimi i shtëpive të shqiptarëve në Kroin e Vitakut në Mitrovicë është penguar sot sërish nga dhjetëra qytetarë serb.
KosovaPress mëson se ky grup i qytetarëve serb ka sulmuar sot rreth orës 09:30 një eskavator të kompanisë "Euro Ndërtimi", i cili ishte duke punuar në rindërtimin e gjashtë shtëpive të shqiptarëve në këtë lagje.
Bbanorët shqiptarë janë shprehur të indinjuar për faktin se pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk po e arrestojnë personin që është nismëtari i këtyre sulmeve. Në shenjë revolte shqiptarët kanë bllokuar rrugën Suhodoll - Mitrovicë duke ndaluar kështu qarkullimin e rrugës.
Ata kanë vendosur në rrugë automjete të ndryshme vetëm për të ndalur qarkullimin.
KosovaPress mëson se aktualisht situata është e tensionuar për shkak se ka qytetarë të tubuar të të dyja komuniteteve dhe ka një prezencë të shtuar të pjesëtarëve të policisë.