TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vijuar akuzat për kryeministrin Edi Rama, se ai është fajtori kryesor për futjen në politikë të Valdrin Pjetrit. Në një reagim të shkurtër, menjëherë pas deklaratës së kreut të qeverisë për tërheqjen e Pjetrit, Basha shkruan se Rama është i lidhur me krimin dhe se kjo e fundit mund të zhduket vetëm pas largimit të Ramës.

"Krahasuar me Edi Ramën, Valdrin Pjetri është një kriminel i rangut të tretë, një trafikant i dënuar droge që ka fshehur të kaluarën e tij.

Por është Edi Rama ai që futi në politikë dhe zyrat e shtetit dhe i bëri deputetë, kryebashkiakë e zyrtarë të lartë dhjetëra kriminelë me rekorde të tmerrshme kriminale, trafikantë, përdhunues e deri vrasës. Edi Rama është kërcënim dhe rrezik për jetën dhe sigurinë e çdo familje shqiptare!

Gjatë regjimit të tij, Shqipëria u kthye në parajsën e krimit të organizuar dhe të pastrimit të parave të pista nga trafiku i drogës dhe korrupsionit. Krimi dhe Edi Rama janë të pandashëm. Që të largojmë krimin duhet të largojmë Edi Ramën", shkruan Basha.

Pjetri hoqi dorë nga marrja e detyrës ditën e djeshme pas akuzave të bëra nga Partia Demokratike, e cila publikoi një dokument ku sipas tyre vërtetohej që ai ka qenë i dënuar në Itali në 2003 me burg për drogë. Në përgjigjen e tij, Pjetri tha se ajo ngjarje, kur ia ka qenë vetëm 20 vjeç,  është hequr nga konteksti dhe është shfrytëzuar për sulme politike.