POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Tërhiqet PS, Prokuroria mund të arrestojë deputetët pa paraqitur provat në Kuvend (VIDEO)

Partia Socialiste u tërhoq nga propozimi i bërë në fillim të 2018-ës për të ndryshuar rregulloren e Kuvendit që bënte të detyrueshme nga ana e Prokurorisë paraqitjen e provave për të marrë nga Kuvendi autorizimin për arrestimin e deputetëve në rast të shkelje të ligjit. Kjo nismë u propozua një vit më parë nga kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla, por në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve, kryetari Ulsi Manja u shpreh se PS-ja është tërhequr për të shmangur debatin politik.

Propozimi i PS-së synonte që në Rregulloren e Kuvendit të specifikohej që Prokuroria të japë prova në Këshillin e Mandateve kur kërkon arrestimin për një deputet. PD-ja u shpreh kundër këtij ndryshimi dhe asokohe pati një debat të madh mes shumicës dhe opozitës, pasi në rastin e kërkesës së Prokurorisë për të arrestuar ish-deputetin Saimir Tahiri, deputetët e PS kërkuan paraqitjen e provave dhe nuk e dhanë autorizimin për arrestimin e tij, edhe pse, deputetët nuk gëzojnë imunitet.

Megjithë tërheqjen e PS-së nga ky propozim dy nenet e rregullores së Kuvendit, 118 dhe 119 për autorizimin për arrestimin e deputetëve pritet që të ndryshojnë nesër për të reflektuar ndryshimet Kushtetuese, ku nga një person me imunitet, tashmë deputeti nuk e gëzon më këtë privilegj. 

Debati në Komisionin e Ligjeve
Ulsi Manja: Është tërhequr formulimi nga propozuesi për nenin 118 dhe 119. Grupi i PS-së ka tërhequr propozimin për nenin 118 dhe 119. Zonja Hysi, fjala për ju...

Vasilika Hysi: Neni 118 dhe 119 bën fjalë për rastet kur kërkohet autorizimi për heqjen e imunitetit të deputetit dhe procedurat kur deputeti është i ndaluar apo arrestuar. Ka pasur një propozim nga grupi i PS-së, Zoti Balla për të përafruar përmbajtjen me Kushtetutën dhe Kodin e Procedurës penale. Balla ka tërhequr formulimin. Neni 118 dhe 119 bie ndesh me Kushtetutën prandaj do të kërkoja që ta riformulonim.

Në nenin 118 thuhet që vazhdon akoma autorizimi për ndjekjen penale, por me Kushtetutë nuk ekziston, pasi deputeti nuk ka imunitet ndaj ndjekjes penale apo përgjimeve, prandaj duhet riformuluar. Në këtë kuadër do të sugjeroja që nenin 118 dhe 119 ta shikojmë me qetësi dhe të kthehemi nesër dhe nuk është ndryshim që mund ta bëjmë tani.

Ulsi Manja: Merreni atë nen të Kushtetues dhe futeni në neni 118 me cop paste. Nuk ka nevojë për filozofi kjo.

Alket Hyseni: Pse ka hequr dorë grupi, mirë do të ishte mos hiqte dorë, nuk po bëjmë gjë tjetër por po tranpozojmë Kushtetutën në rregullore. Nuk ka ndonjë që bën sofizma... ne po zbatomë kushtetutën. Urgjent....

Vasilika Hysi: Atëherë propozimi është, që hiqet paragrafi i parë, ne nuk kemi nevojë për autorizim për ndjekjen penale. Kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për caktimin e masës sigurisë me burg apo në shtëpi apo kontrollit personal i paraqitet kryetarit të kuvendit nga prokurori. Ai ia dërgon këshillit për mandatet dhe njofton deputetin.

Deputeti ka të drejtë të paraqesë shpjegimet me shkrim apo me gojë në Këshill. Këshilli brenda katër javëve harton një raport ku rekomandohet rrëzimi ose miratimi i dhënies së autorizimit të caktimit të masës së arrestit me burg apo në shtëpi. Në seancë i jepet fjala në fillim deputetit për të dhënë shpjegime, Kuvendi vendos me votim të hapur nëse do të jepet apo jo autorizimi për caktimin e masës së sigurimit ndaj deputetit apo kontrollit. Këto përcaktime zbatohen edhe anëtarit të këshillit të ministrave.

Klotilda Bushka: Unë sugjeroj që ne duhet të jemi korrekt dhe ti përmbahemi parashikimeve të Kushtetutës, sikur janë atje ti transfuzojmë direkt në rregulloren e kuvendit.

Ulsi Manja: Grupi i PS-së me një vendimmarrje politike është tërhequr nga ndryshimi i nenit 118 dhe 119 edhe pse nuk janë në harmoni me Kushtetutën. Kemi rënë dakord që për të shmangur cdo debat propozuesit janë tërhequr dhe kur të jetë rasti aplikohet direkt Kushtetuta në hirarkinë e normës. Këto dy nene janë tërhequr propozuesit, unë nuk hedh në votim asnjë propozim përsa kohë nuk jam konsultuar me propozuesit që janë tërhequr. Sot për këto dy nene nuk dua asnjë lloj debati.

Vasilika Hysi: Unë nuk lexova propozimin e PS-së që është tërhequr. Por e lë nenin 118 dhe 119 në kundërshtim me Kushtetutën, pasi me ndryshimet që kemi bërë nuk kemi më imunitete ndaj ndjekjes penale. Deputetet nuk kanë më imunitete nga 2012 dhe unë sugjerova që meqë është tërhequr propozimi i grupit të PS-së, neni 118 dhe 119 kanë nevojë që të rishikohet, pasi rregullon të gjithë punën e këshillit të mandateve. Propozimi im është që a mund të mblidhemi sot si grup dhe të ta rregullojmë?

Ulsi Manja: Para votimit në tërësi do i shkojmë me qetësi

Neni 118 dhe 119 qe jane aktualisht ne fuqi per Rregulloren e Kuvendit

Pjesë e debatit mes deputetëve ishte edhe amendimi i nenit 48 të Rregullores, lidhur me përcaktimin e kohës së diskutimit në Kuvend. Kohëzgjatja e diskutimit do të jetë 10 minuta. Gjithashtu është specifikuar edhe rasti kur drejtuesi i seancës mund t’u ndërpresë fjalën deputetëve, kur janë jashtë rendit të ditës. Gjatë diskutimit të kësaj pike ka ndërhyrë kryetari i grupit të partive të djathta në Kuvend, Adriatik Alimadhi që akuzoi se kryetari i kuvendit sillet si “diktator”.

“Nuk mund t’ia lemë këtë të drejtë kryetarit të Kuvendit. Deputetët flasin për problematika të ndryshme” tha ai. Por, Fino ka kërkuar vendosjen e disiplinës. “Diskutimet për marrëveshje që janë 20 minutëshe janë abuzuar. Deputetët kanë folur në fillim për marrëveshjen, e më pas për politiken e ditës. Duhet të vendosim disiplinën”.

Pjesë nga diskutimet në Komisionin e Ligjeve
Vasilika Hysi: Drejtuesi i seancës mund të ndërpresë fjalën kur diskutuesi flet për çështje që nuk janë në rend dite.

Bashkim Fino: Duhet ta vemë këtë disiplinë. Shumë mirë që e bëmë 10 minuta.

Adriatik Alimadhi: Lëreni deputetin të shprehet lirshëm

Alket Hyseni: S’mund të dilni dhe të flisni për një gjë që s’ka lidhje me ligjin, me rendin

Bashkim Fino: Me këtë nen, kuorumi nis në orën 10. Dhe kur mbaron diskutimi në orën 5, fillojmë votimin dhe nuk marrim prapë prezencën. Nuk mund të bëjmë marrëveshje që të nisim Kuvendin me 15 deputetë se nuk u del gjumi. Duhet ta detyrojë rregullorja kreun e Kuvendit që të bëhen 71 deputetë pastaj të nisë Kuvendi.

Adriatik Alimadhi: Në këtë rregullore kanë marrë pjesë ish-deputetë të Partisë Demokratike, tani jemi dhe ne këtu. Duam kohë, duam të bëjmë debat

Ulsi Manja: S’dua asnjë koment, pro, kundër

Vasilika Hysi: Masat disiplinore deri më sot i jep kreu i Kuvendit ose Byroja. Propozimi që është sjellë, synon që të bëjë klasifikimin e shkeljeve në të rënda dhe të lehta dhe mekanizim në dy shkallë dhe ankimimin.Nuk parashikon përshkallëzim të shkeljeve të lehta, të rënda dhe shumë të rënda. Të bëjë lidhjen e rregullores me shkeljet që parashikohen në kodin e sjelljes, të bëjë klasifikimin e shkeljes.

d.ba./r.k./Shqiptarja.com
Komento