Një tërmet me magnitudë 7.3 goditi Puerto Madero në Meksikë të premten, njoftoi Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS). Tërmeti ndodhi në një thellësi prej 10 kilometrash. Deri më tani nuk raportohen viktima.

Lëkundjet e forta kanë ngritur kërcënimin për cunam në zona të Oqeanit Paqësor që ndodhen më afër qendrës ku ndodhi tërmeti, në një rreze prej 300 kilometrash nga epiqendra.

Sipas Sistemit të SHBA-ve për Paralajmërimin për Cunamin, valët me lartësi nga 0.3 metra deri në 1 metër mbi nivelin e baticës mund të ndodhin në brigje të Guatemalës dhe Meksikës.

Parashikohet që valët të jenë më të ulëta se 0.3 metra mbi nivelin e baticës përgjatë brigjeve të Kolumbisë, Kosta Rikës dhe Ekuadorit, si dhe të El Salvadorit, Hondurasit, Nikaraguas, Panamasë dhe Perusë.

Tërmeti ‘shkundi’ disa ndërtesa në Guatemala dhe ka nisur evakuimi si masë paraprake.