Disa lëkundje sizmike, ku më e forta ishte me magnitudë 4.1 të shkallës Rihter, u regjistruan mbrëmjen e 4 shkurtit në qytetin e Korçës.

Sizmiologu, Rrapo Ormëni në një lidhje të drejtpërdrejtë në ‘Sot Live në Shqipëri’, tha se zona e juglindjes është e njohur për aktivitetin sizmik ndër vite. Si shembuj ai sjell tërmetin e vitit 1960 dhe atë të 1987.

“Korça është një zonë me aktivitet sizmik. Historikisht aty kanë rënë tërmete të forta, kështu në  1960 ra një tërmet me magnitudë 6 të shkallës rihter! Në 1987 u regjistrua një tërmet me magnitudë 5,2. Kur themi që është zonë sizmike duhet të kemi parasysh dy aspekte. Njëra që bien tërmete të forta dhe tërmetet e forta kanë periudha të gjata përsëritje. Më pas vijnë grumbuj tërmetesh të cilët nuk shkaktojnë dëm, tha Ormëni.

Teksa u pyet nga moderatori Nertil Agalliu nëse tërmetet mund të ndikohen nga thatësira, Ormëni nënvizoi se kjo nuk ndikon, pasi janë procese të brendshme të tokës.

“Thatësira nuk ka lidhje me tërmetet, këto janë procese të brendshme që ndodhin brenda këtyre linjave tektonike që ka kjo zonë", përfundoi ai.