Përballë akuzave të opozitës se drafti i reformës territoriale po kalon në mënyrë të njëanshme, Taulant Balla i bëri thirrje opozitës që të paraqesë propozimet e saj gjatë shqyrtimit nen për nen në Komisionin e Ligjeve.

Balla kujtoi se demokratët nuk morën pjesë as në votimin e reformës së vitit 2014.

“Nëse duan të mungojnë përsëri, le të mungojnë, por karvani duhet të shkojë përpara”, tha Balla për gazetarët pas mbledhjes së grupit të PS-së. Sa i takon projektligjit të demokratëve për rritjen e numrit të bashkive në 100, Balla tha se ai duhet të kalojë më parë në proces konsultimi me këshillat bashkiakë dhe kryetarët e bashkive, ndërsa i ftoi demokratët që propozimet e tyre t’i paraqesin gjatë shqyrtimit nen për nen të draftit të PS-së.

Pyetje: Partia Demokratike ka thënë se, në momentin që reforma territoriale miratohet në mënyrë të njëanshme, cenohet edhe reforma zgjedhore. Nëse PD ngre këtë shqetësim, a jeni gati ta miratoni edhe reformën zgjedhore të vetëm?

Taulant Balla: Thirrja ime për grupin parlamentar të Partisë Demokratike është që të marrë pjesë në diskutime. Të marrë pjesë në diskutime në Komisionin e Ligjeve. Nëse kanë propozime, t’i depozitojnë në Komisionin e Ligjeve. Janë ende në kohë. Sot është diskutimi në parim në Komisionin e Ligjeve. Do të vazhdojë diskutimi, do të votohet në parim dhe menjëherë pastaj është shqyrtimi nen për nen dhe në tërësi. Në shqyrtimin nen për nen, çdo deputet ka përsëri të drejtën të bëjë propozime.

Unë nuk jam këtu për t’i mësuar Partisë Demokratike se si të bëhet pjesë e procesit. Nëse Partia Demokratike do të bëhet pjesë e procesit, mund të vijë me propozime nwse do nw diskutimet nen pwr nen. Në momentin që ti vjen me një projektligj të ri, je i detyruar që, sipas parashikimeve që bën ligji për vetëqeverisjen vendore, çdo propozim ligjor të kalojë përmes procesit të konsultimit në këshillat bashkiakë dhe te kryetarët e bashkive.

Ne nuk bëjmë asnjë gabim të natyrës kushtetuese për mënyrën e trajtimit, sepse unë e di fare mirë që shpresa, ose le të themi mënyra për të penguar ecjen përpara të kësaj reforme, është për ta futur Kuvendin apo komisionin në gabime të natyrës procedurale, me qëllim për t’i përdorur ato si argument në Gjykatën Kushtetuese. Projektligji i tyre të shkojë të bëjë konsultimin. Ndërkohë, nëse duan, nen për nen le t’i sjellin propozimet.

Pyetje: Do t’ua merrni parasysh amendamentet? Nëse ata sjellin amendamente, ju a twrhiqeni nga projekti me 46 bashki?

Taulant Balla: E para, unë po flas proceduralisht. Unë nuk hyj në diskutimin se çfarë propozojnë ata, por dua ta ndërlidh me pyetjen që bëtë. Ju thatë që kjo po kalon në mënyrë të njëanshme. Sot kemi 61 bashki me një votim pa pjesëmarrjen e Partisë Demokratike në votimin e 31 korrikut të vitit 2014. Pra, Partia Demokratike nuk ka marrë pjesë as në votimin e para 12 viteve. Unë nuk parashikoj gjë tjetër. Partia Demokratike përsëri do të mungojë. Partia Demokratike ka munguar edhe në zgjedhjet e 30 qershorit.

Pyetje: Por ju vendosni një numër bashkish dhe nuk dëgjoni se çfarë kërkon pala tjetër.

Taulant Balla: Tani është pak e vështirë të biesh dakord kur një palë vjen me 46, ti me 100, ndërkohë që nuk ke votuar as këtë numrin në mes, që është 61. Kjo është një çështje për të cilën, kur të keni mundësinë, shkoni dhe pyetini ata. Unë përsëri po them që kanë munguar në korrik të 2014-s, kanë munguar edhe më 30 qershor 2019 në zgjedhje. Nëse duan të mungojnë përsëri, le të mungojnë, por karvani duhet të shkojë përpara, sepse kemi sot bashki që aktualisht nuk i ofrojnë siç duhet shërbimet. Ne na kanë votuar qytetarët për të përmirësuar shërbimet. E di fare mirë që për kolegët, me të vërtetë edhe për mua personalisht, për shembull disa bashkime kanë një lloj ngarkese, por e di fare mirë që ky bashkim do të sjellë shërbim më të mirë për të gjithë banorët e dy bashkive.


Lajmi kryesor:

‘Territorialja’ të enjten në Kuvend! Braçe e Vullnet Sinaj kundër draftit të PS, miratimi i reformës në rrezik! Opozita te ‘Ligjet’: Ndërprisni mbledhjen, drafti i njëanshëm (VIDEO)