Arbjan Mazniku iu përgjigj nga foltorja e Kuvendit tri shqetësimeve kryesore të qytetarëve për reformën territoriale: largimit të shërbimeve, humbjes së identitetit të qyteteve dhe përfaqësimit në këshillat bashkiakë. Ai garantoi se bashkimi i bashkive nuk do të largojë asnjë shërbim dhe se projektligji për Reformën Territoriale parashikon se do të ketë një përfaqësim proporcional në parlamentet vendore për 77 qytetet që marrin këtë status.
Tre argumentet e Maznikut
1. Shërbimet nuk do të largohen. I kemi pyetur të gjithë kryetarët e bashkive që kanë qenë pro dhe kundër. U kemi thënë: Na jepni emrin e një shërbimi që prej këtij bashkimi largohet. Asnjë kryetar bashkie nuk ka thënë emrin e një shërbimi që largohet. Sot mund të propozojmë një sistem që i fuqizon bashkitë, por nuk largon asnjë shërbim. Kushdo që ju thotë diçka tjetër, ju gënjen.”
2. Identiteti i qyteteve do të ruhet: Ne ishim të qartë për nevojën për rritje të efikasitetit. Njerëzit na thanë: Duam të ndihemi të përfaqësuar. Ndaj propozimi i qytetarëve është mekanizmi që garanton përfaqësimin proporcional në këshilla, ruajtjen e identitetit të qytetit, emrin e qytetit, historinë e qytetit. Identiteti i qytetarëve nuk preket nga ky element.
3. Përfaqësimi në këshillat bashkiakë sipas popullsisë. Këshillat bashkiakë ruajnë proporcionalitetin e përfaqësimit sipas numrit të popullsisë. Kjo nuk shtrihet vetëm në bashkitë që bashkohen. Nuk kemi 46 bashki, por kemi 46 bashki dhe 77 qytete. Përfaqësimi në këshillat bashkiakë do të jetë i strukturuar sipas numrit të popullsisë së 77 qyteteve përbërëse, ku ruhet logjika, historia dhe mundësia që të kemi demokraci të mirëfilltë vendore, ku zëri i njerëzve dëgjohet sa herë investohet në një rrugë, një kanal.
Mazniku: Kjo reformë, mund ta themi qartësisht, patjetër që ka debate. Asnjë reformë nuk kalon pa debate. Por PS ka një barrë që e ka marrë në zgjedhjet e fundit: ta çojë Shqipërinë në BE. Ka shumë reforma që duhet të ndodhin. Një ndër to është reforma në territor. Faza e parë që nis sot dhe faza e dytë që nis të mërkurën janë mekanizma që Europa të mos jetë një negociatë mes qeverisë dhe Brukselit, por të ndihet në çdo qytet, në çdo bashki të vendit.
Lajmi kryesor:
‘Territorialja’ në Kuvend/ PD: Po asgjësoni 15 bashki pa konsultim, duhet referendum! PS: Asnjë shërbim nuk largohet, qytetet përfaqësohen në këshilla në bazë të popullsisë





