TIRANË - Provimi i shtetit , ideja e ekspertëve të reformës në drejtësi, krijon konflikt kompetencash me shumë institucione të tjera që rregullojnë tregun e juristëve në Shqipëri.

Sipas konstitucionalistit Dariel Sina, ky lloj testi të cilit duhet t’i nënshtrohen jo vetëm juristët të cilët duan të bëjnë karrierë në drejtësi por dhe ata që synojnë të punësohen në shtet, dublon kompetencat e Dhomës së Avokatisë dhe madje dhe Ministrisë së Arsimit.

"Unë shikoj që ka një përplasje midis dhomës kombëtare të avokatisë e cila bën 1 vit kurs të specializuar avokatëve të ri të Shqipërisë. Problematika lind në këtë pjesë, këta që fitojnë çfarë fitojnë këta, nuk është se fitojnë diçka. Shkolla e tyre është e njohur nga Ministria e Arsimit, certifikimin e dijeve të tyre nuk mund ta bëjë provimi vetëm sepse përmendet cilësia e universiteteve. Cilësinë e universiteteve nuk e parashikon dhe nuk e përcakton dot ky komision i cili do të vlerësojë këta studentë por e parashikon dhe certifikon Ministria e Arsimit", - tha Sina.

Ky test i cili për momentin është thjesht një ide, nuk i krijon akses studentëve në tregun e punës.

"DAP ushtron provime për seleksionimin e kandidateve për tu punësuar në shtet, pra nëqoftëse këta studentë, këta individë do fitojnë këtë provim atëherë punësimi i tyre do jetë i menjëhershëm? Nëqoftëse unë jap një provim dhe kaloj ok, por çfarë fitoj unë me këtë provim ndërkohë që unë përsëri do i nënshtrohem një provimi në DAP ku do jem më kandidatë të tjerë dhe kalueshmëria do të përcaktojë nëse unë do të punësohem apo jo në shtet, pra këtu vjen përsëri dhe ndeshet më një institucion tjetër shtetëror", - u shpreh konstitucionalisti Sina.

Provimi i shtetit për juristët është një praktikë gjermane. Pas përfundimit të studimeve, jepet provimi i parë i shtetit. Më pas dy viteve praktikë, zhvillohet i dyti, i cili konsiderohet mjaft i fortë.
 
Pasi kalohen këto teste të rëndësishme, kandidatit i lind e drejta të punësohet në çdo lloj shkalle të sistemit të drejtësisë, madje të bëhet dhe gjyqtar. Profesion i cili në vendin tonë, fitohet vetëm pas mbarimit të Shkollës së Magjistraturës.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqitparja.com)