Teatër, filma, ekspozita dhe aktivitete për fëmijët. Fundi i tetorit sjell një kalendar të larmishëm kulturor në disa qytete të vendit, nga Tirana e Korça te Durrësi, Shkodra, Fieri, Vlora dhe Peshkopia.

1.“1984”, RIKTHEHET NË SKENË SHFAQJA E GEORGE ORWELL

Në Teatrin Kombëtar Eksperimental më 29, 30 e 31 nëntor do të shfaqet  “1984” nga George Orwell. Shfaqja me dramatizim nga Jeton Neziraj e regji nga Dino Mustafić vjen si bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe Teatrit Migjeni. Uinston Smith punon në Ministrinë e së Vërtetës, ku rishkruan me kujdes historinë. Por Uinston ëndërron për lirinë dhe për rebelimin. Në punë, ai bie në dashuri me Xhulian dhe nis me të një lidhje të fshehtë, por në këtë botë asgjë nuk mund të mbahet sekret. Ata do të detyrohen të përballen me pasoja shumë më të tmerrshme nga sa mund të kishin imagjinuar ndonjëherë. Interpretojnë: Ema Andrea, Rafael Hoxhaj, Eva Gjika, Jozef Shiroka, Adriana Tolka, Nikolin Ferketa.

Më 31 tetor e 1 nëntor paradite do të kthehen edhe shfaqjet për fëmijët. Në skenë do të vijë “Kush i shpiku rregullat?” me regji nga Semela Skënderasi.

2.“OTELLO” E SHEKSPIRIT RIKTHEHET NË SKENËN E TEATRIT KOMBËTAR

Në Teatrin Kombëtar më sonte, nesër, më 30, 31 tetor e 1 nëntor do të vijë në sezonin e dytë “Otello” me pesë shfaqje. Vepra e Ëilliam Shakespeare vjen nën regjinë e Qëndrim Rijanit.

3. SHËNDETI MENDOR/ DOKUMENTARI “I DASHUR DITAR” NË VLORË

Dokumentari psikoedukues ‘I dashur ditar’, me në fokus shëndetin mendor dhe rininë shqiptare do të shfaqet nesër në orën 12:00 në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë.

4. FESTIVALE FILMI E TEATRI DHE “DITËT E MIOS” NË KORÇË

Ditë me filma dhe aktivitete do të vijojnë deri më 31 tetor në “Korça Short Fest”, ndërkohë që po në Korçë, në teatrin “A.Z.Çajupi” mbahet sot dhe nesër “Festivali i Teatrit për të Rinj”. Gjithashtu nga kjo e mërkurë deri më 31 tetor, në Galerinë e Arteve “Guri Madhi” do të mbahet Simpoziumi Ndërkombëtar i Artit “Ditët e Mios”.

5. BIENALJA E DURRËSIT ME TEMËN “PERIFERIA: TRANZICIONE PAMORE”

Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor të Durrësit vijon me edicionin e saj të dytë deri më 31 tetor. Nën kurimin e Massimo Scaringella-s, tema e këtij viti është “Periferia: Tranzicione Pamore”. Artistë bashkëkohorë nga vende të ndryshme prezantojnë punët e tyre, duke sjellë interpretime të ndryshme të realiteteve periferike dhe antropologjike.

6. “PËR NJË FJALË GOJE”, SHFAQJE NË TEATRIN “BYLIS” NË FIER

Në teatrin “Bylis” në Fier, në orën 18:30, sot dhe nesër jepet  shfaqja “Për një fjalë goje”. Në qendër të veprës është historia e dy botëve që përballen dhe e një miqësie që vihet në provë, duke dëshmuar se ndonjëherë mjafton një fjalë për të tronditur edhe marrëdhëniet më të forta. Në shfaqje interpretojnë Shkumbin Istrefi, Tristan Halilaj, Merita Smaja dhe Aleksandër Prenga. Regjia mban firmën e Besmir Bitrakut, ndërsa skenografia është realizuar nga Divni Gushta.

7. EKSPOZITA “UMBRA...” NË GALERINË E ARTEVE NË SHKODËR

“Umbra – Il volto invisibile dell’uomo” (“Fytyra e padukshme e njeriut”) është ekspozita e çelur deri më 13 nëntor në Galerinë e Arteve në Shkodër. Në ekspozitë prezantohen punët e Gazmend Lekës, Salvatore Grilletto-s, Carmine Calò-s dhe Ambla Klosit, me pjesëmarrjen e veçantë të Qazima Kërtushës.

8. HALLOWEEN ME FËMIJËT ME SHFAQJEN “CORALINE” NË PESHKOPI

Qendra Kulturore e Fëmijëve “Naim Plaku” në Peshkopi organizon sot në orën 17:00 një aktivitet për fëmijët në atmosferën e Halloween-it, me shfaqjen e filmit të animuar “Coraline”.