Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në një takim pune Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe të Plotfuqishëm të Japonisë në Austri, Kosovë dhe Maqedoni, Makoto Taketoshi, me të cilin diskutoi për mënyrat e thellimit të bashkëpunimit të mirë mes dy vendeve.
Thaçi e njohu ambasadorin Taketoshi për konsolidimin e shtetit të Kosovës, brenda dhe jashtë, si dhe për rolin konstruktiv që Kosova po luan në rajon.
Sippas një komunikate të Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke treguar për arritjet në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Thaçi tha se pjesë e dialogut do të jetë edhe çështja e borxhit ndaj Japonisë dhe se Kosova do të marrë mbi vete pagesën e pjesës së vet të borxhit që kjo çështje të mos bëhet pengesë në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Ai shtoi se Kosova mund të mësojë shumë nga përvoja e Japonisë në zhvillimin e vendit pas luftës dhe ftoi që të thellohet ky bashkëpunim mes vendeve.
Ambasadori japonez Taketoshi falënderoi zëvendëskryeministrin Thaçi për bashkëpunimin e mirë mes dy vendeve dhe njoftoi për projektet që shteti i Japonisë ka me Kosovën. Ambasadori Taketoshi njoftoi për projektet për asistencë teknike në Pejë dhe Istog, si dhe për projektet me Ministrinë e Arsimit për të financuar shkollimin e plotë të një studenti nga Kosova, çdo vit, në universitetet e Japonisë./KosovaPress/atsh/