Gjatë javëve të fundit, niveli i ujit në Liqenin e Fierzës është ulur ndjeshëm, duke zbuluar atë që rrallë shihet: kujtimet e një qyteti të zhdukur — Kukësin e vjetër. Në sipërfaqe kanë filluar të dalin copëza muresh, rrënoja betoni dhe skelete ndërtesash që dikur mbanin jetë, treg, shkolla, institucione ekonomike e shoqërore, kulturore dhe njerëz. Në sipërfaqe kanë dalë dy simbolet kryesore të qendrës së qytetit të vjetër: piedestali ku fillimisht ishte vendosur busti i Ahmet Zogut e më pas busti i Skënderbeut, vepër e skulptorit të popullit Odhise Paskali, i vendosur më 18 nëntor 1939. Tani ato duken si plagë të hapura në sipërfaqen e ujit, dëshmi të heshtura të një kohe që nuk kthehet më.

Në breg, Riza Vata, ish-ushtarak, vështron drejt mesit të liqenit. Nuk ka qenë banor i atij qyteti, por mallin e mban si të ishte i vetmi që kujton. “Aty ishin bashkuar kosovarë, goranë, jabanxhinj e tregtarë nga anë të ndryshme. Ishte qytet që jetonte me njerëz punëtorë, me zëra tregu dhe me shpirt bashkimi,” thotë ai, duke e quajtur me përkëdheli “Stambolli i Vogël”, siç e thërrisnin dikur banorët e vjetër.

Sot, nga ai “Stamboll i Vogël” kanë mbetur vetëm kujtimet dhe ndonjë copë muri që del për pak në sipërfaqe, derisa reshjet e reja ta mbulojnë sërish.

Pjesa më e madhe e liqenit ngjan më shumë me një “lumë” të qetë sesa me një liqen të akumuluar. Turbinat e hidrocentralit të Fierzës janë mbyllur prej ditësh. Mungesa e ujit ka ngrirë edhe energjinë. Kukësi, qyteti që dikur u zhyt për t’i hapur rrugë dritës, sot përballet sërish me ujërat e fatit të vet — këtë herë, jo për shkak të bollëkut, por të mungesës.