Thatësira e gjatë vitin e kaluar solli një ulje të prodhimit energjetik në vend. Sipas një raporti të Entit rregullator të energjisë prurjet në kaskadën e Drinit ishin më të ulëtat në 30 vite. Gjatë 2025 u prodhua më shumë nga dielli, ndërsa TEC-et lundruese në Vlorë patën gjeneruan një sasi të papërfillshme.

***

Me një sistem që ende në pjesën dërrmuese varet nga burimet hidrike, prodhimi i energjisë vitin e kaluar shënoi një rënie me gati 5 përqind.

Enti Rregullator i Energjisë në raportin vjetor, thotë se prodhimi total i energjisë gjatë 2025-ës ishte 7.4 mijë gigavat orë, ose 369 gigavat më pak krahasuar me prodhimin e realizuar në vitin 2024.

Sipas ERE afro 46.2% të prodhimit total të energjisë elektrike, u realizua nga KESH, në rënie me 9.5% krahasuar me 2024-ën, ndërsa pjesa tjetër prej 53.8% u prodhua nga centralet e tjera private.

Kjo rënie e prodhimit ka ardhur në kushtet kur fuqia e instaluar është rritur ka ardhur vetëm prej mungesës së reshjeve.

“Nga pikëpamja hidrologjike, vitit 2025 ka qenë një vit i thatë me prurje nën mesataren 30-vjeçare. Duhet theksuar se që në fillim të vitit 2025, situata hidrike ka qenë e vështirë pasi periudha relativisht e thatë filloi që nga pjesa e II e 2024, duke startuar vitin 2025 me nivel të ulët shfrytëzimi në liqenin e Fierzës dhe rrjedhimisht me rezervë të kufizuar energjetike”, thuhet në raportin e ERE.

Në 2025-ën prodhimi në hidrocentralet e Kaskadës së Lumit Drin rezultoi 3,4 mijë gigavat ose rreth -17.5% më i ulët krahasuar me 2024-ën. Energjia e humbur nga hidrocentralet është kompensuar pjesërisht nga prodhimi i parqeve fotovoltaike, të shpërblyer nga ditët me diell e të rritur dhe në numër.

Prodhimi prej tyre arriti në 832.3 gigavat, duke përfaqësuar 11% të prodhimit total vendas për vitin 2025. Për vitin 2025 ishin 52 centrale fotovoltaike në prodhim, nga 42 në vitin 2024.

Sa i takon TEC-eve lundruese që u morën për kohë të vështira, të mungesës së prodhimit, duket se rezultati është minimal. Sipas të dhënave të ERE vjet ‘Tigri 1 dhe Tigri 3’, prodhuan vetëm 77 gigavat, ose më pak se 1% e prodhimit total të energjisë.

Deri në fund të vitit të kaluar KESH ka paguar afro 62.8 milionë euro për t'i sjellë në Triport Vlorë dhe për të vënë në punë dy gjeneratorët termik, ndërsa kostoja e prodhimit ka rezultuar 151 euro për megavat.