Thesari popullor i Gjirokastrës, sfidë dhe për surrogatot e kafeneve të Tiranës!

Thesari popullor i Gjirokastrës, sfidë dhe për surrogatot e kafeneve të Tiranës!

Foto nga Festivali i Gjirokastrës

Gjatë 5 dekadave me penë nëpër lëndinat e Gazetarisë Profesioniste, përgjithësisht kënaqesha kur  kuptoja se më lexonin edhe ata që më donin, por edhe ata që ndoshta nuk më donin. Sot sikur i shikoj më afër e më shpesh në internet ku zbrazen rrëkera e baltovina anonime. Me disa kokrra që tashmë ua njoh stilin shpellor, vë buzën në gaz dhe e kaloj shkurt me një “pordhi kali në derë të hanit”. Ndonjëri është tëpkë nga ata të djeshmit, që u shkoi jeta pas shpine…Fjala vjen: një këngë popullore e miratuar dhe e vendosur në stendat e Muzeut Historik të Sarandës, për pak më hëngri kokën 40 vite më parë(më gjerësisht do e shkruaj së shpejti publikisht). Dhe nuk ishte aspak faji i këngës së bukur. Dhe as imi që më pëlqeu dhe e komentova në një rubrikë të ish gazetës “Bashkimi”. Por letraxhinjtë e pacipë e tepër “vigjilentë” dhe me kostum “patrioti”, e dërguan helmin jo dokudo por në majë të “Olimpit” në Kryeqytet. Ultimatumi që mu dha me gojë e me shkrim nga ndonjë palo drejtues, që në pluralizëm dolën spiunë të regjur të Sigurimit të Shtetit, nuk linte asnjë shteg diskutimi a debati: Duhej të mbrohesha brenda një jave! Përndryshe…Përfytyroni një gazetar 30 vjeçar, përballë rrufeve që mund të binin pa mëshirë nga “lart”. A kisha këllqe të mbaja në kurriz “gurin e Sizifit” ?...Veçse sa herë shkoja brenda apo pranë Kalasë së Gjirokastrës(qysh në shkollën e mesme Pedagogjike “Pandeli Sotiri”), më bëhej se dëgjoja thekshëm edhe ate trokëllimën e valles së moçme “bodrumce” nga ish-qelitë e tmerrshme të burgut. E kanë hedhur atë valle shpirtndezur mjaft luftëtarë antizogistë e antinazifashistë të betuar. Luftëtarë që u digjej shpirti për mëmëdhenë. “Që nga errësira mesjetare e kështjellës(në imagjinatën time), sa vinte e fuqizohej ritmi në trajtën e një valleje të quajtur Bodrumçe, e lindur prej mundimeve të njerëzve të burgosur nëpër shekuj, për të vetmin faj se dëshironin Lirinë”,- shprehej shumë kohë më parë nga Bostoni i SHBA, një kolegu ynë i nderuar, shkodran 24 karat. Por Liria nuk dhurohet ! Historikisht kështu…Nuk është thënë kot se kjo Kështjellë,”ky monument madhështor i forcës shqiptare ka një elegancë të çuditshme”. Dhe këtë elegancë e pasuruan më tej grupet e 12 qarqeve. Mbi 1200 vetë tundën skenën e sallën natyrore, që natën dukej si një vapor gjigant i përmbytur nga këngët, valet e meloditë bio shqiptare. Pa harruar kurrë një nga hartuesit dhe zbatuesit kryesorë të kalasë, mjeshtrin Petro Korçari. Në kohën e Ali Pashë Tepelenës, u ngrit edhe ujësjellësi 10 kilometra i gjatë. Ujë i pijshëm nga mali i Sopotit. Por…u dëmtua gjatë regjimit anadollak zogollian! Më vonë u ngrit edhe Muzeu Kombëtar i Armëve, ku frëngjitë e topave i dalin zot luginës tej e tej. Vetë mbrohet nga 7 kulla…

Fjala vjen, në ato qeli zezona më 10 Maj 1939, ashtu me pranga në duar syrgjynosën babanë tonë të sapofejuar, menjëherë pas Protestës së Parë Punëtore Antifashiste te Ura e Bëncës në Tepelenë. Ditën që erdhi ministri Italian i Punëve Botore. E arrestuan, e dënuan dhe e internuan në Guroren e Shëngjinit  në Lezhë,” për propagandë të rrezikshme kundër Fashizmit”…Ç’kanë parë e ç’kanë dëgjuar muret e kësaj kalaje hijerëndë ! Gjurmët e vajzave partizane heroina Bule Naipi e Persefoni Kokëdhima, janë atje. Tortura çnjerëzore, britma lirie, vraga gjaku, por edhe këngë trimërie e vajzërie. Asnjë kthim prapa, deri sa i varën në litar te “Sheshi i Çerçizit”. Kërcisnin gjer vonë edhe degët e rrapit të vjetër nga dhimbja ! Ndërsa pushtuesve dhe sahanlëpirësve të tyre as që iu drodhën qerpikët, e as iu mjegulluan sytë e skuqur si ujkonja përballë dy vajzave labe me ideale të kulluara atdhetarie. Shembuj të tillë e mjaft të tjerë i bëjnë nder botës së qytetëruar, Europës e Perëndimit. Këngët dhe vallet e sotme popullore, lirike e epike, i kanë themelet te ata tinguj të përgjakur që derdheshin për një Botë të Re. Historia nuk harron. Ajo gjëmon dhe mban shënime në breza. Dëgjojmë nga “lëmi” i Festivalit. Vini veshin:”Ilirisht që nga mademi/ Dheut tënë,mëmë i themi./ Edhe në hënë të vemi/ Kokën prapë këtu e kemi !...”. Është i mirënjohuri grup “Gurra e Picarit” që thërret me zemër: Do ta bëjmë Shqipërinë ! A e dini kush ligjëroi si bilbil ? Vetë Shkëlqim Guçe kapedani, kryetar i Komitetit të Veteranëve e Pasardhësve të rrethit. Njeriu që tërë jetën ia kushtoi Kulturës, traditave më të mira, mbajtjes gjallë e pasurimit të artit popullor. Mirëpo Folklori magjik shqiptar nga Jugu në Veri, nuk ndrin vetëm një herë në 5 vjet. Përkundrazi. Ai rrjedh natyrshëm si ujëvarë e bardhë nga bora në male. Nuk mund të harrohet kur në duart e njerëzisë erdhi “Bleta Shqiptare” e Thimi Mitkos, si përmbledhja më eplotë e shekullit XIX. “Hapet me proverbat dhe vazhdon me gjëzat, emrat e njerëzve; këngët e ritet e ditëve të shënuara të vitit; këngët e dasmës, të dashurisë, të trimërisë, këngët gegërishte; përrallat dhe mbyllet me një fjalor shpjegues të fjalëve krahinore që përmbajnë tekstet folklorike”. Ndërsa në prag të Çlirimit dolën në dritë 15 vëllimet “Visarët e kombit” etj.

Rimëkëmbja e vendit të djegur e të shkatërruar nga pushtuesit, nuk ngeci vetëm te shtëpitë, urat apo rrugët. Udhëheqja e kohës bëri thirrje publike për të prodhuar edhe më tepër bukë, arsim e kulturë. Ngritja e Instituteve të posaçme të Folklorit, Kulturës Popullore e të Arkivit enciklopedi madhore e trashëgimisë, rritën më tej nivelin shkencor, sasinë e cilësinë. P.sh. breza të tërë studentësh të Fakultetit Histori-Filologji rrëfejnë sot e kësaj dite për një burrë të veçantë gjirokastrit që përgatiti tekstin e parë mësimor për Folklorin. Është fjala për Prof. Zihni Sako (babai i Miroshit të mirë që mbylli sytë herët), ish-partizanin modest e punëtor i rrallë. Kur linda unë, ai botoi novelën “Bereqeti”…Nderim pa fund u takon studiuesve të Folkoristikës letrare, muzikore e koreografike, shqiptarë e të huaj. Që nga F.Bardhi, N.Filja dhe gjer te arbëreshët si Darenjtë, V.Dorsa, Dh.Kamarda e padyshim J.De Rada aq i dashur. E pastaj Z.Jubani, S.Dine, J.Han, Lamberc etj. Dhe deri vonë pedagogu ynë A.Uçi, Q.Haxhihasani, J.Panajoti, A.Xhagolli, F.Rrapaj, K.Harito etj. Ose në Kosovë, Anton Çeta me shokë dhe vetë Instituti Albanologjik i Prishtinës. Një fakt: deri në vigjilje të pluralizmit ishin botuar jo pak por mbi 20 vëllime në 5 seri ! Themele jo dosido…

Poeti popullor i vërtetë është një sqimatar estetik jo i rëndomtë. Mjaft figura letrare të përkora, befasuese e tronditëse flasin dhe do të flasin shumë. Edhe në Festivaline tanishëm, vërshuan talente të reja në këngë e valle. Stafeta e sigurt e ardhmërisë  u duk edhe te moshat e reja. Që nga fëmijët. E kush nuk u kënaq nga 13 vajzat valltare të Përmetit e Këlcyrës. Ku shpaloseshin hijshëm kostumet e Dëshnicës, Malëshovës, Cerjes, Dangëllisë, Rrëzës e Shqerisë. Apo njëmbëdhjetëshja e mirënjohur e sazeve me në krye Josif Shukallarin, Ylli Muçon e Qako Vangjelin. Mjeshtri Cife lë punën e krahut në Janinë, shkon në Iljarë të Përmetit me bashkëshorten Marianthi dhe sikur mbledh zërat e bilbilave në pyje e i sjell me klarinetë në skenë. Por më parë jo rrallë interpreton e këndon bashkë me Maron, sic bënte dikur me mësuesin, usta Laverin e dashur që sot prehet në Bolëngë. Luljeta Ilia la punët e hallet në Gjermani dhe ia hodhi e priti këngës në Gjirokastër. Bashkë me Adrianën, emigrante në Athinë. i thërret zëri i të parëve, vatra e herëshme popullore përmetare ku u rritën e morën emër të mirë. Bashkë me Evgjeninë nga Tirana. Por ah, për herë të parë mungon Jareku ynë i nënë Ismetes, llahutieri e këngëtari që më përcolli 4 vite më parë në qytetin e luleve. Dhe pas dy muajve, iku përgjithmonë…Emocionet që krijojnë me interpretimet e tyre Sadik e Alban Zeqiri, Agron e Aurel Nurka, i kam provuar vetë dhe me kolegët e mi gazetarë.

Festivale të tillë janë edhe një lloj testament shpirtëror i patjetërsueshëm. E mbi të gjitha, për kohët që jetojmë janë edhe një sfidë dinjitoze “ndaj subkulturës, hiçartit”(siç do thosh me të drejtë libohoviti kokëplotë, i paharruari Moikom Zeqo), që mbush ditë e natë mjaft kafene të Tiranës e gjetkë ! Por festivalistët, ndoshta nuk e mësuan dot autorin e vërtetë të valles madhështore të kalldrëmeve që hapen e mbyllen si fustanella apo si qilima të qëndisur për çdo gur. Në Qafën e Pazarit takohen 5 rrugë. Por njerëzia, banorët e vjetër e të rinj të Gjirokastrës dhe më gjerë, kujtojnë gurgdhendësin legjendë, heroin e dashur Simi Llukani. Me rrënjë nga Koblara e Dangëllisë. Nga vendlindja e Odise Paskalit të madh. Fëmijët e djeshëm të qytetit të gurtë, janë gjallë. Dhe mërmërima fëminore mbetet: “Çak e çuk troket çekani,/ Bën kalldrëm Simi Llukani…”.Shumë prej tyre “vodhën” zanatin e tij, por kurrë lartësinë e Heroit të Punës ! Tregimet e Çerciz Dumit, Fetah Kores, Bajram Zhulit, Thimjo Xanit, Teki Dalani etj. rrëfejnë mjaft për xha Simin, që gjithë gjirokastritët i hiqnin kapelen. Mbahet mend ende: Gurgdhendësit nuk pranuan asnje veturë shtetërore që të merrte trupin e tij në arkivol. E mbajtën vetë mbi supet punëtore, ecën ngadalë nëpër kalldrëme, deri te shtrati i topit ku prisnin zyrtarë e qytetarë. Lotët e pionierëve që kishin punuar vullnetarisht me të, sikur pikonin nga qielli mbi Koblarën e Dangëllisë dhe mbi mëhallat e qytetit të dhembshur, e sidomos te kalldrëmi që të conte te 7 krojet…”Kur do shkonim të punonim te Blloku i Udhëheqjes në Tiranë, më pyetën për biografinë e Tekiut nga Lazarati, u thashë vetëm kaq: Unë dal garant që tani vetëm për çekanin ! Dhe për duart që i kullojnë flori…

Gjatë ditënetëve të Festivalit, jo rastësisht kujtuam njeriun që vuri në valle kalldrëmet gjirokastrite. Ai ishte dhe mbeti “Qytetar Nderi” i veçantë. Një model ndershmërie e profesionalizmi i rrallë. Sa shumë e deshi atë qytet të cuditshëm !...Te rruga “Vllazën Huta” në Tiranë, dëgjoj herë pas here një zë krenarie:”Po ku je moj bilë(vajzë) e Simi Llukanit ?!”. Kështu e thërrasin Natashën, bashkëshorten e ish-ushtarakut dinjitoz Dhori Prifti. Ajo qesh, falenderon dhe vazhdon punën me organizatën e veteranëve e të pasardhësve. Por edhe me Dëshmorët e Atdheut. Për Kryeqytetin tonë, për çlirimin e tij ka falur gjakun dhe jetën e tij edhe Petro Llukani. Bashkë me Pandeli Dallën 14 vjeçar nga Skoreja e Pogonit, pa vënë ende brisk në faqe. Nënë Vasiliqia ligjëronte me lotë e ligje rrënqethëse edhe për gurët e drurët. Ndërsa nga qielli i Dukagjinit, në orët e fundit të Çlirimit, do të këputej një yll 15 vjeçar, partizani hero Çelo Sinani. Gjëma dhe kuja e një partizaneje labe çau gjokset e të gjallëve dhe drodhi eshtrat e të vdekurve. Vetë malësorët i ngritën këngën:”Kush lufton në atë breg/ Çelo Sinani vetë i tretë…”.Po kuqonte Liria ! Por…pluralizmi rrumpallë nisi me varrim-ç’varrime, me prishje lapidarësh e simbolesh flakërimë ! Turpe që nuk shlyhen lehtë. Gjaku i tyre nuk bëhet kurrë ujë ! Kohëra pa kohë. Sot, vërtet nuk ka heronj dhe “ka vetëm pehlivanë”?! Mund të shkulësh e të djegësh mjaft gjëra nën çizmet e pushtpushteteve që vijnë e shkojnë. Por këngët dhe vallet e popullit nuk i shkul dot nga zemrat, nga tempulli i përjetshëm i Lirisë !...

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Noc Rroku: 04/07/2023 08:29

    Respekt për çfarë shkruan për festivalin folklorik dhe për të gjithë ata që mbajnë gjatë të vetme gjë që na ka mbetur dhe e bëjnë pa i paguar;( se pak nga pak dhe këngët e lahutat tona po i pagëzojnë ndryshe ,nejse)...po e lë me kaq .Flm dhe jam i sigurt që më kupton pse e lë me kaq.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja