Nutricionisti Altin Joka i ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, ka analizuar rolin e bukës në shëndetin tonë. Dikur buka, një simbol i tryezave tona, sot një prodhim industrial që shkakton shumë probleme në shëndet, një nga ushqimet më të akuzuara për obezitetin, sëmundjet metabolike, etj.

Nëse do të kthehemi pas në kohë, drithrat kanë histori të lashtë, gati 12 mijë vjeçare. Dikur ato thërmoheshin dhe i zjenin. Në Egjiptin e lashtë ka lindur edhe pitja e parë rreth 8 mijë vjet më parë, ndërsa buka e thartuar ka një histori 5 mijë vjeçare. Por rreth shekullit të 18-të hungarezët ishin të parët që zhvilluan teknika të avancuara të bluarjes, dhe arritën të prodhojnë miellin e bardhë, kështu filloi dhe një lloj tregtie në të gjithë botën, duke i dhënë konceptin modern bukës.

“Buka për mijëra vite bluhej në gur dhe fermentohej ngadalë, konsumohej në sasi modeste dhe kishte fibra, minerale dhe vitaminë B2 që ushqente mikrobiomën”, u shpreh nutricionisti Joka.

Por sot përballemi me një tjetër realitet sipas Jokës, mielli modern sot është bërë i varfër, është rafinuar dhe ka humbur vlerën.

“Tri janë pjesët që duhet të ketë mielli: drithrat, embrionin dhe endospermën, e cila ka niseshte. Në kohët që ne po jetojmë përdoret vetëm pjesa e endospermës, pra mielli është i zhveshur nga fibrat dhe embrioni, niveli i glutenit sot është 40 përqind i pranishëm në trupin tonë, dhe këtu fillojnë edhe problemet me fryrjen, me stomakun, ndjejmë lodhje, etj. Mos harrojmë që edhe bujqësia ka përdorur shumë herbicide tek drithrat duke lënë pesticide. Nga ana tjetër sot fermentimi i bukës është i shpejtë dhe kjo bën që niveli i glutenit nuk shpërbëhet duke ndikuar në sistemin tretës. Buka konsumohet në shumë sasi, nuk është shoqëruese, por është bërë bazë e menusë. Buka moderne është produkt industrial, nga rafinimi që ka dhe nga glifosfati që ka, është edhe rrezik për shfaqjen e kancerit”, u shpreh Joka, i cili tha gjithashtu se sot në bukë ka edhe adetiv të shtuar, hekur sintetik, tiaminë, miacinë, acidin folik, të cilët nuk e rikthejnë miellin në gjendje natyrore. Ndaj dhe buka sot akuzohet për shkaktaren e shumë problematikave shëndetësore.

Në furra kemi shumëllojshmëri buke, por kë duhet të zgjedhim?

Kujdes, buka me drithra integrale në shumicën e rasteve, sipas nutricionistit Joka është marketing. Sot pjesë e madhe e tyre është miell i bardhë i përzier me disa krunde, kanë adetivë dhe ngjyrues. Kjo lloj buke shkakton probleme me candiditën, me disbiozën e zorrës. Ajo do të ishte e mirë nëse do të fermentohej me tharmë natyrale për disa ditë me miell të bluar në gurë, pasi kjo do të sillte një indeks glicemik shumë të ulët. Sot gluteni ka strukturë agresive dhe shkakton probleme në sistemin intensinal të zorrës. Konsumimi i lartë i bukës shkakton diarre dhe kapsllëk. Stomaku ngopet, ndërsa hormonet jo.

Cila është buka më e mirë?

“Buka më e mirë në opinionin tim është bukë thekre me tharmë natyrale, ka më shumë fibra dhe nivel glicemik të ulët.  Buka është e mirë kur trupi e harron shpejt, jo kur barku e ndjen të rëndë. Buka duhet të jetë e thartë, duhet të jetë e rëndë në peshë, nuk duhet shtypur me dorë, duhet të tretet shpejt. Kur konsumon sa katër gishta dore bukë dhe je i ngopur, atëherë mund të them që është një bukë e mirë, në të kundërt nëse nuk ndodhin këto që rendita më sipër, ajo bukë nuk vlen”, shpjegoi Joka.  

Ai tha gjithashtu se buka e misrit ka më pak gluten, por në kohët e sotme është e përpunuar gjenetikisht. Bukë me miell thjerrëzash dhe qiqrash, sipas Jokës është një nga bukët më të shëndetshme, por edhe ajo me quinoa me fara liri ose me tërshërë organike.

A na krijon varësi buka?

Buka moderne konsumohet shpesh dhe krijon varësi, ndikon tek insulina dhe dopamina në mënyrë ciklike. Kjo lloj buke që konsumojmë ne sot, ka nivele të larta niseshteje, ajo tretet shpejt dhe glukoza rritet duke bërë që pankreasi të reagojë duke liruar më shumë insulin. Sheqeri në gjak bie dhe truri merr sinjal duke kërkuar energjinë që kishte më parë. Ky është cikli i insulinës dhe varësisë. Në anën tjetër dopamina rritet, kur buka konsumohet shpesh, dopamina lirohet në mënyrë të vazhdueshme dhe trupi e kërkon përsëri, kjo na varëson. Shumë njerëz thonë nuk ngopem me bukë, problem është se ne nuk po ngopim hormonet tona.

A është buka e thekur më e mirë, nuk na lejon të shëndoshemi?

Sipas nutricionistit Joka, buka na shëndosh sepse rrit shpejt glukozën dhe stimulon më shumë insulinë dhe kjo bën që të depozitojë më tepër yndyrë.

“Nëse bukën e thekim, kjo është një mit. Ne ulim sasinë e ujit, jo kaloritë, jo glukozën, madje ajo përthithet më shumë dhe indeksi glicemik rritet, për diabetikët nuk rekomandohet”, këshilloi Joka.

Kujdes ja çfarë është gjendur tek buka

Tek buka është gjetur Propionati i kalciumit, i cili është një acid yndyror me zinxhir të shkurtër. Këto kripra kalciumi hidhen që buka të qëndrojë gjatë, mos të myket. Kjo dëmton nivelin e insulinës dhe shton peshë. Bromati i kaliumit është një “kondicioner” që forcon strukturën e bukës, bën oksidim të miellit. Problem tjetër është mielli i zbardhur, ka gaz të dioksidit të klorit dhe peroksid benzoili duke sjellë probleme të rënda, dëmton qelizat beta të pankreasit dhe shkon deri tek dëmtimi i ADN tonë!

Një këshillë për diabetikët nga nutricionisti Altin Joka!

Diabetikët nuk duhet të përdorin fare karbohidrate, as makarona apo pastiço. Makaronat sa më shumë të ziejnë aq më shumë niseshte dhe rezistencë ndaj insulinës krijojnë. Buka duhet të hiqet nga dieta. Duhet ta rrallojmë dhe të gjithë nuk duhet ta kemi pjesën bazë të ushqimit tonë.