Diplomatët e huaj në vendin tonë, si ambasadorja amerikane apo ambasadori i BE-së, vazhdimisht u kanë bërë thirrje partive politike që të sigurohen që kandidatët që duan të përfaqësojnë qytetarët, të mos jenë të përfshirë me krimin.

Në lidhje me këto thirrje të ambasadorëve ka reaguar edhe kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, i cili thekson se duhet të bënin më mirë që të ndaleshin deri tek lidhjet e kandidatëve me krimin. Sipas Patozit, po të futet si kriter edhe korrupsioni, disa nga listat do të rrëzoheshin në treçerekun e tyre, ndërsa disa parti edhe mund të shkriheshin fare.

‘Ambasadorët nuk e kanë keq... Ambasadorët nuk e kanë keq, kur i kujtojnë përditë partive se duhen të kenë lista të pastra për 25 prillin. Sepse me ato që u kanë parë sytë njerëzve në Shqipëri gjatë viteve të fundit, gjithçka mund të ndodhë edhe në këto zgjedhje.

Por do të bënin më mirë që të ndaleshin deri tek lidhjet e kandidatëve me krimin. Sepse po të fusnin si kriter edhe korrupsionin, kam frikë se disa nga listat do të rrëzoheshin në treçerekun e tyre, ndërsa disa parti edhe mund të shkriheshin fare.’- shkruan Patozi.

Vetëm pak ditë më parë ambasadorja e SHBA-së në vendin tonë Yuri Kim dhe ambasadori i BE-së Luigi Soreca zhvilluan një takim me kryekomisionerin Ilirjan Celibashi, ku në fokus të diskutimit ishte pastërtia e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit.

Për rreth një orë Yuri kim bisedoi me kryekomisionerit Shtetëror të zgjedhjeve, Ilirjan Celibashin, me fokus përgatitjet për 25 prillit, por edhe çështjen e kandidatëve, për të cilën ambasadorja ka kërkuar prerazi nga krerët e partive të tregojnë përgjegjësi. 

Edha ambasadori britanik Duncan Norman u bëri thirrje një ditë më parë partive politike që duhet të sigurojnë që kandidatët që duan të përfaqësojnë qytetarët, të mos jenë të përfshirë me krimin e organizuar ose korrupsionin apo të lidhur drejtpërdrejt me ata që janë.