Debati mbi pozicionin politik të Ismail Kadaresë ka shoqëruar veprën e tij pothuajse po aq sa vetë fama letrare. Për disa, ai duhej të kishte qenë disident ; për të tjerë, fakti që nuk ishte i tillë përbën një njollë morale. Por ky debat, sado i zhurmshëm, mbetet thelbësisht anësor. Ismail Kadareja ishte një shkrimtar i angazhuar brenda sistemit komunist shqiptar dhe kjo është një e vërtetë historike, jo një akt akuze. Përpjekjet për ta shndërruar atë në disident pas rënies së komunizmit nuk i shtojnë asgjë veprës së tij, ashtu siç pranimi i këtij angazhimi nuk ia ul vlerën.
Historia e letërsisë botërore njeh plot shembuj shkrimtarësh të mëdhenj që ishin hapur komunistë ose mbështetës të regjimeve socialiste, pa u mohuar për këtë arsye statusi i tyre artistik. Vladimir Majakovski, poeti emblemë i Revolucionit Bolshevik, ishte një shkrimtar thellësisht i angazhuar politikisht, një zë zyrtar i epokës sovjetike. Askush nuk e lexon sot Majakovskin për biografinë e tij partiake, por për energjinë revolucionare të gjuhës, për ritmin, metaforën dhe shpërthimin poetik që ndikuan gjithë poezinë moderne.
Po kështu, Louis Aragon, anëtar i Partisë Komuniste Franceze për dekada, nuk reshti së shkruari poezi dhe romane që sot konsiderohen gurë themeli të letërsisë franceze të shekullit XX. Angazhimi i tij politik nuk e shndërroi veprën në propagandë të thatë; përkundrazi, ajo ruajti kompleksitet estetik dhe thellësi emocionale. Letërsia e Aragonit nuk vlerësohet për bindjet e tij ideologjike, por për mjeshtërinë gjuhësore dhe ndjeshmërinë poetike.
Një tjetër shembull domethënës është Pablo Neruda, poet nobelist dhe komunist i deklaruar, i cili shkroi ode për Stalinin dhe për revolucionin, pa e humbur kurrë fuqinë lirike që e bëri një nga poetët më të dashur të shekullit XX. As apologjia e tij politike, as gabimet ideologjike nuk ia kanë zbehur madhështinë vargjeve të dashurisë, të dhimbjes dhe të fatit njerëzor.
Edhe Bertolt Brecht, marksist i bindur dhe kritik i kapitalizmit, jetoi dhe krijoi për një periudhë në Gjermaninë Lindore socialiste. Teatri i tij nuk gjykohet sot për afërsinë me komunizmin, por për revolucionin estetik që solli në dramaturgji, për distancimin epik dhe për fuqinë analitike të gjuhës skenike. Brechti mbetet Brecht jo sepse ishte komunist, por sepse ishte gjenial.
Në këtë panoramë, Ismail Kadareja nuk përbën përjashtim, por një rast tipik të një shkrimtari të madh që veproi brenda një sistemi ideologjik të caktuar. Ai nuk ishte disident ,nuk e sfidoi hapur regjimin, nuk u përndoq si kundërshtar politik dhe ishte pjesë e establishmentit kulturor. Ta mohosh këtë do të thotë të falsifikosh historinë. Por ta kthesh këtë fakt në kriter vlerësimi letrar do të thotë të mos kuptosh natyrën e letërsisë.
E veçanta që e dallon Kadarenë nga bashkëkohësit e tij nuk ishte pozicioni politik, por talenti i jashtëzakonshëm dhe mjeshtëria në përdorimin e gjuhës shqipe. Ai e trajtoi gjuhën si materie artistike, duke i dhënë asaj densitet poetik, simbolikë moderne dhe një elasticitet të rrallë shprehës. Shqipja e Kadaresë u bë një gjuhë letrare me ambicie universale, pa humbur rrënjët mitike dhe historike.
Si te Majakovski, Neruda apo Brechti, edhe te Kadareja, vepra i mbijetoi ideologjisë që e rrethoi. Regjimet bien, partitë zhduken, por letërsia e madhe mbetet. Prandaj përpjekjet për të gjetur tek Kadareja disidentin janë më shumë nevojë e debatit politik të pasviteve ’90 sesa domosdoshmëri letrare. Ai mbetet një figurë qendrore e letërsisë shqiptare jo për shkak të qëndrimit të tij politik, por sepse ishte një artist i madh i gjuhës, që i dha shqipes nuanca poetike moderne dhe e vendosi atë në dialog të denjë me letërsinë botërore.
Komente











