Thoma Gëllçi: Shqiptarë, zgjidhni dhe votoni!

Thoma Gëllçi: Shqiptarë, zgjidhni dhe votoni!

Foto ilustruese

Në Shqipëri, politika ngjan me recetat e bukura që të japin mjekët po për të cilët nuk gjen ilaçe në farmaci..

Votuesi rrufit kafen e mëngjesit me pyetjen: a ja vlen te votoj?

Për të ndihmuar zgjedhësit të kuptojnë lojën, po paraqesim përmbledhtazi  alternativat që kanë përpara:

1. Lëvizja Bashkë – “E ardhmja është pensionisti!”

Sipas kësaj lëvizjeje, shpresa për të ndryshuar gjendjen janë të moshuarit, për të cilët eksperienca është gjithçka. Udhëheqësit e “Bashkë” janë të bindur se Shqipëria mund të udhëhiqet më mirë nga ata që pinë kafen e mëngjesit duke matur tensionin e gjakut.

2. Nisma Thurje – “Duhet  të ikin të vjetrit!”

Një tjetër lëvizje me premtime të mëdha, por e ngjashme me një tren që pret të niset kur shinat të jenë të lira. “Thurja” propozon që politikanët e vjetër të largohen vetë.

Programi i tyre, i bazuar në urdhra  dhe pritje, ngjan më shumë me një ëndërr që kërkon një jetë tjetër për t’u realizuar.

3. Shqipëria Bëhet – “Mjafton të votohet Adriatik Llapaj!”

“Shqipëria bëhet” është një moto që ngjall shpresë dhe dilemë. Lideri i saj, Adriatik Llapaj, na siguron se gjithçka që duhet është të votohet për të.

4. Partia Mundësia

Agron Shehaj ka një ofertë intriguese: Jepini një mundësi, dhe ai do t’ju japë mundësi të gjitheve.

Agroni është i bindur se, për sa kohë besoni te ai, Shqipëria  e ka një mundësi të lulëzojë.

5. Djathtas 1912 – “Aliagai dhe lavdia e së shkuarës!”

Frymëzuar nga historia, kjo parti duket e mbërthyer në vitin 1912. Aliagai alias Alibeaj, lideri i saj, na premton të rikthejë lavdinë e së djathtës, një lavdi për të cilën po merren arkeologët për ta gjetur, nëse ka ekzistuar ndonjëherë  në realitetin shqiptar.

6. Lulzim Basha – “Heshtja është... vote!”

Lulzim Basha është një lider që ka ndërtuar karrierën e tij mbi heshtjen. Ai ka humbur përballë  Ramës kur e mbështeste Berisha dhe ka humbur perballe Berishës kur e mbështeste Rama.  Tani  thotë se do t'i mundë  të dy.  Po të ishte heshtja flori, shqiptarët do të ishin bërë të pasur vetëm nga heshtja e Bashes. Përkrahësit thonë se përderisa  ai vetë është pasuruar me heshtje; pse të mos pasurohen edhe mbështetësit e tij që po ashtu janë të heshtur.

7. Altin Goxhaj – “Pro-Trump, anti-Soros!”

Altin Goxhaj ka zgjedhur një betejë ndërkombëtare, duke e vendosur Shqipërinë në qendër të luftës midis Trump-it dhe Soros-it, ndonëse as njeri as tjetri nuk është  i vetëdijshëm për ekzistencën e Shqipërisë. Me shume gjasa do ndryshoje emrin e partise duke e quajtur  ISG “ Ishulli i Sazan...Gurit”

8. Lëvizja Atdheu – “Shqiptarët në rrezik!”

Kryetari i kësaj lëvizjeje, Kreshnik Osmani, na thotë se vetëm shqiptarët e vërtetë mund të shpëtojnë vendin. Ai përfaqëson një ndërthurje mes kreshnikëve legjendarë të Jutbinës dhe serialeve turke të  televizionit KLAN. Osmani fton qytetarët të bashkohen dhe të marrin pjesë në diskutimet për situatën botërore, sepse, sipas tij, nëse shqiptarët zgjidhin problemet e botës, automatikisht  do të zgjidhin edhe problemet e vendit.

9. Dash Shehi – “Ndryshimi kërkon kohë!”

Dash Shehi, me 34 vite përvojë politike, na thotë se ndryshimi është i nevojshëm, por nuk vjen shpejt. Propozimi i tij është që të largohen nga politika të gjithë ata që kanë më pak se 30 vite përvojë, duke përfaqësuar kështu stabilitetin dhe traditën.

10. Edi Rama – “Zgjidh të keqen më të vogël!”

Partia Socialiste, e udhëhequr nga Edi Rama, ofron një mesazh të thjeshtë: “të tjerët janë më keq!” Ky program politik, cinik por realist, është ndoshta përmbledhja më e sinqertë e realitetit të politikës shqiptare. Rreth këtij programi, populli është ndarë në dy pjesë: një palë mendon se socialistët janë më të mirët ndër të ligjtë, ndërsa pjesa tjetër mendon se ata janë më të ligjtë ndër të ligjtë.

11. Partia Republikane – “Fotografi dhe nostalgji”

Fatmir Mediu ofron një premtim të pazakontë: për një pagesë simbolike, mund të merrni fotografi me politikanë amerikanë dhe, në rast fitoreje, një fotokopje të tapive të pronave që nuk i keni marrë ose i kanë marrë të tjerët.

12. Partia Legaliste – “T’a marrim pushtetin nga brenda!”

Legalistët propozojnë se kthimi te traditat mbretërore është shpëtimi i vendit. Premtimi i tyre për punësim të mbretërorëve në institucionet e Republikës tingëllon paradoksal, por shembulli i trashëgimtarit të fronit, Princit Leka, që ka punuar si këshilltar i presidentit të Republikës dhe i ministrit të jashtëm, flet qartë. Duke dhënë këshilla të gabuara, ata shpresojnë se një ditë do të rrëzojnë republikën.

13. Sali Berisha – “Vendi i dytë, gjithmonë me meritë!”

Berisha dhe Partia Demokratike  kanë adoptuar filozofinë e vendit të dytë, duke pretenduar se vendi i parë merret vetëm me mashtrime ose favore. Dhe ashtu si në modelin kinez numri dy është më i rëndësishëm se numri një.

14. Partia e Kocaqit– “Të bashkuar me  rrënjë e degë!”

Historiania Kocaqi ofron një zgjidhje origjinale, duke propozuar që shqiptarët, njësoj siç besojnë se gjuha shqipe është gjuha më e vjetër në botë dhe mëma e të gjitha gjuhëve, mund të besojnë edhe që partia e saj është në pushtet. Kështu, gjithë shqiptarët do të ndihen sikur e kanë marrë pushtetin.

15. Partia e Lirise . Kjo Parti i bie shkurt duke marre copy paste programin elektoral nga doktori. Deviza është: “ me doktorin fitojme edhe ne”

Me këtë meny të pasur gjysma e popullit është e kënaqur me cirkun aktual, ndërsa gjysma tjetër ble bileta për të ikur drejt BE...

Ndërsa votuesit e diaspores pasi lexojnë menynë e ofertave thonë: "Shyqyr Zotit vetëm njëri nga këta do të fitojë "

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 21 Janar, 08:38

    14 vite nga vrasja e 4 protestuesve, do bëjë SPAK drejtësi për 21 janarin?



×

Lajmi i fundit

Zyrtare/ Bologna i përmbysi në Champions, Dortmund shkarkon trajnerin Nuri Sahin

Zyrtare/ Bologna i përmbysi në Champions, Dortmund shkarkon trajnerin Nuri Sahin