Një 43-vjeçar është arrestuar për vjedhjen e një automjeti në Fier, ndërsa personi që dyshohet se e strehoi bashkë me mjetin e vjedhur u shpall në kërkim. Sipas policisë, të dy kishin thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Në pranga ra Olsi Bakiaj, 43 vjeç, i cili dyshohet se më 27 korrik ka vjedhur automjetin e një 25-vjeçari, të parkuar në lagjen “Konferenca e Pezës” në Fier. Pas kallëzimit të pronarit, shërbimet e Policisë së Fierit, në bashkëpunim me Policinë e Sarandës, finalizuan operacionin e koduar “Itinerari”, duke bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e tij.
Nga hetimet u mësua se Bakiaj e kishte kryer vjedhjen pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Fierit për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Gjatë veprimeve hetimore, policia gjeti dhe sekuestroi automjetin e vjedhur në banesën e Ibrahim Dudës, 46 vjeç, në Sarandë. Ai u shpall në kërkim, pasi dyshohet se ka përkrahur Bakiajn duke e strehuar në banesën e tij bashkë me automjetin.
Sipas policisë, edhe Ibrahim Duda kishte masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Vjedhje”, por dyshohet se e kishte thyer atë. Vijon puna për kapjen e tij.
Njoftimi i Policisw
"Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe vodhi një automjet, kapet dhe vihet në pranga 43-vjeçari. Sekuestrohet automjeti i vjedhur, i cili u gjet i fshehur në banesën e një 46-vjeçari që dyshohet se ka ndihmuar 43-vjeçarin, duke e mbajtur në banesë. Punohet për kapjen e 46-vjeçarit i cili gjithashtu ka thyer masën e sigurisë "Arrest në shtëpi". Pas kallëzimit të një shtetasi se i kishin vjedhur automjetin e parkuar në lagjen “Konferenca e Pezës”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier organizuan menjëherë punën për zbardhjen e rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, u finalizua në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, operacioni i koduar “Itinerari”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestua shtetasi O. B., 43 vjeç, banues në Fier, i cili dyshohet se më datë 27.07.2026, në lagjen “Konferenca e Pezës”, Fier, ka vjedhur automjetin e shtetasit A. Xh., 25 vjeç. Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi O. B. e ka kryer këtë vepër penale pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Fierit, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Në vijim të veprimeve hetimore u shpall në kërkim shtetasi I. D., 46 vjeç, banues në Sarandë, pasi dyshohet se ka përkrahur autorin e dyshuar, duke e mbajtur në banesën e tij, bashkë me automjetin e vjedhur. Ky shtetas ishte me masë sigurie "Arrest në shtëpi", për veprën penale "Vjedhje". Po punohet për kapjen e tij. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme."
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










