Një tifoz i dehur i ekipit futbollistik të Manchester United i telefonoi policisë pas humbjes së klubit me skuadrën e Sanderlend në ndeshjen për Kupë.

Ai kërkonte që të fliste me ish-trajnerin e United, Alex Ferguson, për rezultatet e fundit dëshpëruese. Tifozi shpresonte që të fliste me Ferguson që ta bindte për t'u rikthyer në stolin e United.

Lajmi është bërë i ditur nga departamenti i policisë, që bëri njoftimin në faqen e saj të Facebook. "Rreth orës 22:30 një njeri telefonoi 999 në gjendje të dehur duke kërkuar që të fliste me Sir Alex Ferguson", shkruhej në njoftimin e policisë në faqen e Facebook.

Në Britani, 999 përdoret për raste urgjente, kurse për çështje të tjera që nuk përbëjnë emergjencë të madhe telefonohet numri 101.

Tifozi i dehur shpresonte të gjente pak mirëkuptim në lidhje me rezultatet shqetësuese të ekipit të Manchester United.


(v.gj/shqiptarja.com)