A u riedukuan shqiptarët nga mbyllja e TikTok-ut? Për sociologun Gëzim Tushe, përgjigjja është e qartë: jo.
Gjatë një diskutimi në emisionin Studio Live në Report TV, Tushe tha debati për TikTok-un në Shqipëri u çua në ekstrem dhe platforma u kthye në fajtorin kryesor për çdo problem që po ndodh në familje dhe shoqëri.
“Debati për TikTok-un u radikalizua dhe platforma u bë kokë turku për të gjitha problemet që po ndodhin në familje e shoqëri. Reagimi konservator në Shqipëri ka qenë i bollshëm dhe u mendua sikur mbyllja e TikTok-ut do të sillte shpëtim nga të gjitha mëkatet e rrjeteve sociale, biosfera e informacionit dhe kriminaliteti,” tha Tushe
Sipas sociologut se një pjesë liberale e shoqërisë e ka parë që në fillim mbylljen si një zgjidhje të gabuar.
“Këto tentativa konservatore nuk japin rezultat. Nuk e ka fajin teknologjia. Teknologjia e ka bërë globin sa një fshat dhe si aset duhet shfrytëzuar. Fajin e ka kultura e përdorimit të teknologjisë,” u shpreh sociologu.
Sipas Tushes, shoqëria ka hyrë tashmë në një fazë të pakthyeshme të zhvillimit teknologjik.
“Ne kemi hyrë në epokën e revolucionit të katërt. Kemi hyrë në hiper-histori që ka për bazë teknologjinë. Nuk mund të dalim nga shinat e qytetërimit modern duke kërkuar rrugë hibride,” tha ai.
Sipas tij rikthimi i TikTok-ut nuk duhet parë as si fitore dhe as si rrezik apokaliptik.
“Rikthimi i përdorimit të TikTok-ut nuk duhet brohoritur dhe as të alarmohemi se do na sjellë të këqijat. Përdorimi i rrjeteve sociale është bërë pandemik, ka prekur gjithë globin. Një e treta e botës është e lidhur në internet. Në këto kushte duhet të mendojmë pozitivisht dhe ta heqim nga mendja idenë se defektet tona edukative dhe kulturore i ka faj TikTok-u,” tha Tushi.
Në të njëjtën linjë ishte edhe eksperti i IT-së, Tomi Kallanxhi, i cili e cilësoi gjithë menaxhimin e situatës si të gabuar që në fillim.
“Pse duhet të prisnim një vit për filtrat? Nëse ishin vendosur filtrat, pse nuk u hoq ban i Tiktokut? Në kontekstin teknik mua më vjen për të qeshur, sepse nëse do ishin vendosur filtrat nuk do hapej Tiktoku pas një viti. Ka kontradikta këtu. Në opinionin tim situata u menaxhua keq. Nuk duhej ta kishim nisur me bllokim. Natyra e njeriut është që sa më shumë ia ndalon diçka dikujt, aq më shumë e shtyn drejt saj,” tha Kallanxhi.
Ai shtoi se shteti duhej të kishte investuar te edukimi digjital dhe jo te ndalimi.
“Duhej të tregonim si të menaxhohen të dhënat online, si të ruhet privatësia, çfarë të postosh ose jo, pse të mos ndash foto me të huaj, si të bësh kujdes në grupe, si të dallosh bullizmin,” u shpreh ai.
Sipas Kallanxhit, mbyllja dhe rihapja e TikTok-ut vetëm sa e ka përkeqësuar situatën.
“Tiktoku u mbyll, u hap prapë dhe u hap sërish kutia e Pandorës. Edhe pse TikTok ka qenë i mbyllur, ka pasur prapë sherre gjimnazistësh në terren të lidhura me TikTok-un,” tha eksperti.
Tushe dhe Kallanxhi ranë dakord se mbyllja e TikTok nuk e zgjidh problemin thelbësor të varësisë nga ekranet por nga ana tjetër ngritën alarmin se përdorimi i pakontrolluar i telefonave po ndikon drejtpërdrejt në shëndetin mendor dhe zhvillimin e fëmijëve.
Debati vjen në një moment kur TikTok është rihapur me vendim të qeverisë, thuajsenjë vit pas bllokimit, ndërsa paralelisht çështja po shqyrtohet në Gjykata Kushtetuese. Qeveria ka deklaruar se po punohet për filtra sigurie, por ka pranuar se nuk ka një marrëveshje të shkruar me platformën.
Gjyqtarët kanë ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e filtrave dhe sigurinë reale, ndërsa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese pritet më 23 shkurt.
Komente









