Një vit pas mbylljes dhe rihapjes së TikTok në Shqipëri me premtimin për më shumë kontroll, ekspertët thonë se situata mbetet e njëjtë. Në emisionin “Sot Live në Shqipëri”, specialistë të fushave të ndryshme ngritën alarmin se platforma vazhdon të funksionojë pa filtra realë, ndërsa përdoruesit, kryesisht të rinj dhe të mitur, mbeten të ekspozuar.
Eksperti i IT-së, Shahin Dokuzi, theksoi se nuk ka pasur asnjë ndërhyrje reale teknike nga momenti i rihapjes së platformës.
“Nuk është vendosur asnjë filtër. I vetmi filtër jo-teknik është delegimi i përgjegjësive, pra shteti hapi TikTokun por përgjegjësinë ia ka kaluar AKSK-së, pra do jetë ky institucion që do të shqyrtojë aktet e një përdoruesi. Pra nuk ka filtra teknikë sepse ato mund t’i vendosë kompania Tik Tok. Secili institucion, shkollë apo familje duhet të bëjë monitorimin për fëmijët e tyre”, tha ai.
Sipas Dokuzit, kjo do të thotë se shteti nuk ka vendosur mekanizma konkretë kontrolli, por ka zhvendosur barrën te institucionet dhe familjet, duke e lënë mbrojtjen e të miturve më shumë në nivel individual sesa sistemik.
Në të njëjtën linjë, Mirgit Vataj ngriti shqetësimin për mungesën e filtrave për gjuhën shqipe, që e bën edhe më të vështirë kontrollin e përmbajtjes problematike.
“Akoma nuk jemi në stadin kur TikTok ka filtra për të bllokuar përmbajtjen e ngarkuar në gjuhën shqipe. Po punohet në këtë drejtim, pra që TikTok të integrojë filtra që në momentin që dikush përdor gjuhë bullizuese, fyese, shantazhuese apo material denigrues të bllokohet që në burim. Nuk kemi mbërritur akoma në këtë pikë. Megjithatë, TikTok do të jetë platforma e parë që do të ketë të integruar një platformë informuese dhe edukuese në shqip për t’u ardhur në ndihmë përdoruesve, e cila është në fazë përgatitore. Kam 5 vjet që kërkoja bllokimin e TikTokut për shkak të mangësive që kemi, por edhe jetëve të humbura prej shantazhit dhe bullizmit online”, tha ai.
Përtej aspektit teknik, Elsa Ballauri e zgjeroi debatin duke theksuar mungesën e një strategjie të qartë nga shteti.
“Nuk është vetëm problem i Shqipërisë. Kjo platformë duhet kontrolluar. Fakti që u ndërpre për një kohë do të thotë se ka një lloj kontrolli. Problemi është të dimë çfarë ndodhi që nga momenti që u mbyll e deri në hapjen e tij. Ne shqiptarët kemi tendencën për të kërkuar, jemi kuriozë, por vrapojmë shpejt. Duhet të ketë një strukturë që na drejton, duhet të jenë institucionet shtetërore që duhet të shqetësohen se çfarë po ndodh me të rinjtë. Në vendet nordike, vetë ministrat e edukimit thanë që do ndalohen laptopët dhe tabletët nëpër shkolla e do shpenzohen libra për materiale. Ndoshta teknikisht filtrat mund të mos realizohen aq lehtë, por ama mund të realizohet diçka tjetër, strategjia që duhet të përgatisim për edukim”, tha ajo.
Sipas Ballaurit, edhe nëse teknologjia nuk e zgjidh menjëherë problemin, mungesa e një politike edukimi dhe orientimi e bën situatën më problematike.
Një tjetër problem i madh, sipas Vatajt, është mungesa e informacionit te vetë përdoruesit.
“Në eksperiencën time, shumica e përdoruesve, mbi 80% nuk dinë ku të raportojnë për rastet kur ndihen të kërcënuar apo ndeshen me materiale jo të hijshme”, tha ai. Kjo, sipas tij, tregon se përveç mungesës së filtrave, ka edhe një boshllëk të madh në ndërgjegjësim dhe mekanizma mbrojtës për qytetarët.
Nga ana tjetër, Dokuzi theksoi se një pjesë e kontrollit mund të vijë edhe nga reagimi i vetë shoqërisë.
“Edhe sikur mos të kontrollohet nga TikToku, ne mund ta kontrollojmë vetë. Ne kur nuk u trokasim te dera atyre që cenojnë të tjerët, e kemi të kotë. Ne i njohim shkelësit me emër e mbiemër”, u shpreh ai, duke argumentuar se mosreagimi i komunitetit i lejon këto fenomene të përhapen.
Problemet bëhen edhe më komplekse kur bëhet fjalë për identifikimin e autorëve. Vataj shpjegoi pengesat konkrete që hasin institucionet:
“Njerëzit përdorin pseudonime. Kur policia heton raste që kanë të bëjnë me TikTok, mundësia e saj është që të shkojë deri tek shpërndarësi i internetit por jo tek përdoruesi fundor. Pra policia duhet ta zgjidhë këtë me kompanitë që shpërndajnë internet. Duhet të ketë mundësi policia të gjurmojë edhe përdoruesin fundor. Infrastruktura teknike e Shqipërisë bashkë me infrastrukturën ligjore dhe mekanizmat e tanishëm e kanë të pamundur të koordinohen me njëra tjetrën sepse problematikat janë të tilla që ne nuk kemi protokollet e duhura”, tha ai.
Kjo, sipas tij, krijon një boshllëk serioz në ndëshkimin e shkelësve. Për këtë arsye Ballauri mendon se duhet një ndërhyrje më e fortë nga shteti:
“Kemi nevojë për institucione të forta. Institucionet duhet të përgatiten siç duhet”.
Debati gijthësesi la një pyetje të hapur: a ishte rihapja e TikTok një hap i nxituar pa garancitë e premtuara? Për momentin, sipas ekspertëve, përgjigjja duket e qartë, platforma funksionon si më parë, ndërsa sfida reale mbetet mbrojtja e të rinjve në një hapësirë që po rritet çdo ditë, por pa kontroll real.
Komente












