TIRANE - Albtelecom tashmë ka nisur të ofrojë shërbimin e internetit me valë Wi-Fi në hapësirat publike në Tiranë dhe po vazhdon me fazën e testimeve në vende të ndryshme të vendit.

Ky shërbim është promovuar gjatë një ceremonie në Qytetin Studenti, ku kanë qenë të pranishëm kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe Drejtori i Përgjithshëm i Albtelecom, Erkan Tabak, i cili u shpreh se ky projekt kombëtar i nisur në Tiranë po vazhdon në çdo qytet të Shqipërisë.

“Sot në kryeqytet ne kemi shërbim aktiv Wi-Fi, në shumicën e vendeve publike dhe mjediseve universitare. Ne shpresojmë që deri në fund të majit të kemi shërbim në të gjithë Tiranën. Dhënia falas e këtij shërbimi për dy orë në ditë është një ndihmë për të rinjtë që nuk kanë mundësi blerjeje të shërbimit dhe kjo është një pjesë e përgjegjësisë sonë sociale. Ne e kemi deklaruar 2013-n si "viti i internetit të sigurt’ dhe duam të ofrojmë internet të sigurt për familjet shqiptare dhe të rinjtë”, tha Tabak në fjalën e tij .

Ky projekt është një shembull mjaft i mirë i bashkëpunimit modern multifunksional dhe i kombinimit të shërbimeve që ofron infrastruktura e Albtelecom dhe ajo e "Eagle Mobile". Në infrastrukturën e internetit "wireless", janë përdorur pajisjet më cilësore të industrisë moderne. Synimi i tij është që ta bëjë internetin të prekshëm për çdo qytetar, në çdo qytet të Shqipërisë.

Të gjithë përdoruesit "Eagle" mund ta përfitojnë falas këtë shërbim në vendet publike më të populluara. Albtelecom Wi-Fi mund të përdoret në çdo pajisje që mbështet këtë teknologji, laptop, tablet dhe telefon smart. Atë mund ta përfitojë çdo përdorues "Eagle", duke dërguar një mesazh në 55544 me tekst WIFI, dhe duke marrë kodin PIN me 8 shifra për përdorim Wi-Fi.

Redaksia online
(j.k/ar.sh/shqiptarja.com)