Parqet publike të kryeqytetit po shkojnë drejt degradimit. Pa mirëmbajtje dhe jashtë vëmendjes së Bashkisë së Tiranës, ata po e humbasin funksionin që kanë për të shërbyer edhe si vend ku banorët e zonës pushojnë, duke u kthyer në një vend ku grumbullohen mbeturinat.
Pemët dekorative, për të cilët janë harxhuar lekët e taksapaguesve shqiptarë për t’i blerë janë prerë, ndërsa ambientet e gjelbërta janë mbushur me plehra. Koshat e mbeturinave janë prishur dhe disa prej tyre janë jo funksional. Ndërsa stolat kanë mbetur thjesht relike, pasi ata krejtësisht jashtë funksioni. Atyre u ka mbetur vetëm konstruksioni metalik, ndërsa pjesët e dërrasës që i japin atij funksionin e një stoli ku mund të ulen njerëzit, janë kalbur krejtësisht, për shkak të kushteve atmosferike.
E njëjta situatë vërehet thuajse në të gjitha hapsirat e gjelbërta të Tiranës. Më konkretisht gjendja e degraduar e parqeve publike dallohet shumë qartë në parkun që ndodhet tek Kryqëzimi i Komunës së Parisit me Qendrën kristal. Në të njëtën situatë të mjeruar është edhe lulishtja te Ushtari i panjohur, në zemër të Tiranës, dhe po ashtu edhe lulishtja që ndodhet përballë hotel Rogner dhe presidencës. Që të gjitha këto lulishte janë rikonstruktuar për herë të fundit në vitin 2011, nga ish-kryebashkiaku, Edi Rama, ndërkohë që prej asaj kohe, ndërmarrja e mirëmbajtjes së bashkisë së Tiranës, që e ka për detyrë të kujdeset për këto ambiente publike, nuk i ka rënë ende në sy gjendja e mjeruar e tyre.
Personat e moshës së tretë, janë ndoshta ata që e vuajnë më tepër mungesën e këtyre hapsirave të gjelbra, pasi shpesh i shfrytëzojnë këto mjedise për të kaluar orë të tëra në shoqërinë e moshatarëve. “Dal thuajse çdo mëngjes dhe vij këtu tek lulishtja. Pasdite marr edhe gruan dhe vimë e ulemi këtu. Edhe ecim pak, por edhe kalojmë kohën, se pensionistë jemi që të dy. Në fillim ishte mirë, por këtu s’ke ku të ulesh, asnjë stol s’ka mbetur i plotë. Gjejmë ndonjë që i ka mbetur ndonjë dërrasë e aty ulemi, se kemi nevojë edhe të shlodhemi”, na thotë Agim Hoxha, i cili e ka shtëpinë në afërsi të shkollës “Vasil Shanto” dhe del çdo ditë tek lulishtja në afërsi të ish stadiumit “Dinamo”.
Në kushte të tilla këto parqe e humbin vlerën e tyre, duke u kthyer në hapësira të pafrekuentueshme nga qytetarët. Gjendja e keqe e parqeve ekzistuese si dhe mungesa e parqeve të reja po e bën gjithnjë e më të vogël hapsirën e gjelbër në kryeqytet duke bërë kështu që banorët e lagjeve të ndryshme të mos kenë një vend të përbashkët ku mund të dalin për të marrë pak ajër të pastër.
Shkrimi u publikua sot (27.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)