TIRANE- Tre persona të paidenfitikuar kanë tentuar të grabisin një biznes në autostradën Tiranë-Durrës në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne. 

Pasi kanë kaluar lehtësisht rojet e kompanisë private të sigurisë, tre grabitësit kanë hyrë në ambientet e brendshme të biznesit dhe kanë kontrolluar për të gjetur para apo sende të tjera me vlerë.

Grabitësit s'gjejnë gjë, policia njoftohet 1 orë me vonesë
Sipas njoftimit të policisë, tre autorët s'kanë mundur që grabitja t'u dalë me sukses, pasi nuk kanë gjetur asgjë të vlefshme. Ata kanë dalë po ashtu të pashqetësuar nga ambientet e biznesit, ndërkohë që rojet private kanë njoftuar policinë me një orë me vonesë. 

Njoftimi i policisë
Më datë 03.07.2017, rreth orës 04:03, në numrin e emergjencave 112, ka ardhur një njoftim nga salla operative e një firme Sh.P.S.F., se disa persona kanë hyrë për të vjedhur në një firmë në autostradën Tiranë - Durrës.

Menjëherë në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 6 dhe kanë marrë kontakt me shërbimet e Sh.P.S.F.-ës, të cilët i kanë informuar se në këtë firmë kanë hyrë 3 shtetas të paidentifikuar.

Pasi kanë arritur të kalojnë rojet, pa u konfliktuar me to, kanë hyrë në ambientet e brendshme të zyrave të kësaj firme, pa kryer thyerje dhe kanë kontrolluar nëpër ambientet e zyrave.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, por lajmërimi është bërë rreth një orë më vonë, gjithashtu nga kontrollet e përfaqësuesve të firmës nuk janë konstatuar sende të vjedhura.

Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj vepre.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com