Tirana bëhet e ‘paprekshme’ për çmimet e pronave, eksperti: Zonat e lira, ku mund të blihet po pakësohen
Problematike në vend janë edhe çmimet e referencave që janë shumë më të ulta sesa çmimi për metër katror në treg të lirë. Eksperti i pasurive të paluajtshme, Ervin Demirxhiu, thotë se në zona të caktuara diferenca mes referencës dhe çmimit real mund të arrijë deri në dyfish.
“Kemi institucione që japin kredi për punonjësit e tyre dhe këto i japin me çmimin e referencës. Por ne e dimë shumë mirë, që diferenca mes çmimit të referencës me çmimet e tregut janë shumë të mëdha. Mund të kemi dhe vende që çmimet janë dyfish më të larta se referencat”, tha Demirxhiu.
Për shkak të çmimit të lartë thotë eksperti qytetarët kërkojnë një banesë të vogël, por që në fakt është edhe më e kushtueshme.
“Qytetarët me të drejtë synojnë garsonierën, synojnë apartament 1+1. Por këto dy kategori pronash janë shumë më të shtrenjta sesa pronat e tjera, sepse duke qenë se janë të vogla, vlera për metër katror është shumë më e lartë sesa për apartamente më të mëdha”, shprehet eksperti.
Sa i përket zonave më ekonomike për blerësit, Demirxhiu veçon disa prej territoreve në periferi të kryeqytetit.
“Zona më ekonomike për momentin është Paskuqani, është pjesa e Yzberishtit, e Kombinatit. Por nga pjesa e Kombinatit nuk kemi shumë oferta faktikisht. Është edhe fshati Linzës, se zona poshtë në Fresk nuk preket më”, tha ai.
Ndërsa sipas referencave të qeverisë të miratuara në 2023-shin për Tiranën zonat më ekonomike janë në Xhamllëk, rrugën “Bardhyl” dhe “Kongresi i Manastirit”, çmimi referues është 98.500 lekë për metër katror. Pas tyre renditen Poligrafiku, Shkoza, Lana Bregasi, Linza dhe Sauku, me 97.200 lekë për metër katror.
Në zona të tjera, çmimet referuese janë më të ulëta. Tregu Industrial dhe Bregu i Lumit janë në nivelin e 89.900 lekëve për metër katror, ndërsa Qyteti Studenti, Varrezat e Dëshmorëve dhe Selitë me 85.700 lekë.
Në skajin tjetër të listës janë zonat periferike. Baldushku dhe Ndroqi kanë një çmim mesatar referues prej 32 mijë dhe 34 mijë lekësh për metër katror, ndërsa Bërzhita është në nivelin e 34 mijë lekëve.
Lajmi kryesor:
'Programi i Strehimit' përballë krizës së banesave, 7 mijë familje në pritje të mbështetjes, ekspertët: Me 60 mijë euro nuk gjen shtëpi në Tiranë









