Po mbahet në kryeqytet panairi “Tirana Food & Fest”, që do të qëndrojë i hapur deri më 12 tetor në në Sheshin “Skënderbej”, Tiranë. Ky është panairi më i madh bujqësor dhe blegtoral i organizuar në vend, që hap dyert për fermerë, blegtorë dhe sipërmarrës shqiptarë.
Gjatë fjalës së tij në Panairin “Tirana Food & Agro”, të organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka theksoi nevojën që vendi të jetë i përgatitur për të hyrë në BE jo thjesht si numër, por me potencialin real që kanë produktet shqiptare.
“Shqipëria duhet të hyjë në Bashkimin Evropian jo si numër, por me potencialin që produktet shqiptare të bëhen pjesë e konsumatorit evropian. Vërtetë sipërmarrja e shikon me skepticizëm anëtarësimin e plotë në BE, por unë jam i bindur që në një bashkëpunim të pandalshëm profesional me institucione shtetërore dhe sipërmarrjen private nga ana tjetër, ne do e realizojmë me sukses anëtarësimin e shpejtë në Bashkimin Evropian dhe kjo është një sfidë për të gjithë ne, një sfidë për sipërmarrjen private dhe një sfidë edhe për qeverinë shqiptare dhe të gjitha institucionet përgjegjëse që sidomos kur kemi të bëjmë me sigurinë ushqimore dhe me standardet e produkteve ushqimore që ne konsumojmë përditë,” u shpreh Jaka.

Ndërsa zëvendësministri i Bujqësisë, Dhimitër Kote, nënvizoi se viti 2026 do të sjellë një qasje të re për bujqësinë, me më shumë mbështetje dhe orientim për fermerët dhe bizneset.
“Jemi në një fazë që do ndryshuar marshi dhe politika dhe strategjia e bujqësisë shqiptare dhe jua them sot në këtë shesh që 2026 ka një strategji tjetër, një mbështetje tjetër dhe një qasje tjetër për të orientuar bujqësinë dhe fermerët shqiptarë dhe përpunuesit eë gjithë produkteve bujqësore në Shqipëri në një hap tjetër, me një mbështetje tjetër duke zbatuar dhe të gjitha kërkesat dhe nevojat që realisht biznesi ka që ne të ecim krahë fermerëve të Bashkimit Evropian që ne jemi përgatitur për vitin 2030 për të qenë pjesë e këtij komuniteti që në këtë vit me një mbështetje për investime me 20 milion euro me ndryshimin dhe mbështetjen për masat mbështetëse për vitin 2026 që janë sipas standardeve të Bashkimit Evropian”, tha Kote.
Kurse nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj, vuri theksin tek rëndësia e promovimit të produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.
“Kemi nevojë të promovojmë produktet tona, sepse kanë cilësi të jashtëzakonshme,” u shpreh Sulaj.

Ai shtoi se panaire të tilla ndihmojnë në rritjen e bashkëpunimeve dhe në njohjen e markave shqiptare jo vetëm në tregun vendas, por edhe në atë ndërkombëtar.
“Për mua rëndësi të madhe ka të shoh edhe turistët dhe të gjithë të tjerët këtu që Tiranën e ka falur Zoti me gjithë këtë kohë të mirë, me gjithë këtë ambient që nuk para i gjen në vende të Europës në këto kohë. Kështu që fermerët tanë kanë të gjithë mundësinë për të bërë punë shumë të mira gjatë gjithë vitit, por që punët e mira të bëhen duhet dhe mbështetja e institucioneve”, u shpreh ai.
Nënkryetari Sula konfirmoi mbështetjen e plotë të Bashkisë së Tiranës për çdo nismë që ndihmon zhvillimin rural dhe bujqësor.
“Bashkia e Tiranës do të mbështesë çdo iniciativë që ka të bëjë me zhvillimin dhe ndihmën ndaj fermerëve, ndaj zhvillimit rural dhe të gjithë të tjerëve. Sa më shumë iniciativa të tilla, sa më shumë promovime. Kemi nevojë që të promovojmë produktet tona sepse kanë cilësi të jashtëzakonshme”, deklaroi Sula.
Panairi “Tirana Food & Agro” synon të krijojë një hapësirë të rëndësishme për bashkëpunim mes fermerëve, prodhuesve dhe bizneseve, duke promovuar produktet shqiptare dhe potencialin e tyre në tregun evropian.
Tirana Food and Fest 2025 do të qëndrojë i hapur në Sheshin “Skënderbej” deri më 12 tetor, duke ofruar një mundësi unike për qytetarët dhe vizitorët që të njihen nga afër me shijen dhe cilësinë e produkteve shqiptare.

Komente









