Parada e 14-të e Krenarisë në Tiranë erdhi nën moton “Bashkë për Familjen”.

Aktivistët dhe anëtarë të komunitetit LGBTQI+ e zgjodhën këtë mesazh si një apel që askush të mos mbetet vetëm, në një kohë kur diskriminimi, fyerjet dhe paragjykimet ndaj këtij komuniteti mbeten ende të pranishme.

Pjesë e paradës ishte edhe ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, i cili theksoi se mbrojtja e të drejtave të komunitetit LGBTQI+ pasqyron vlerat e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe mbështet çdo grup të cenueshëm.

“Kjo shkon shumë përtej të drejtave të LGBTQI-së. Ka të bëjë me llojin e shoqërisë që duam të kemi. Por mendoj se ndonjëherë ndodh thjesht sepse njerëzit nuk janë të ekspozuar ndaj këtij realiteti dhe mendojnë, për shembull, se mund t’i edukosh fëmijët të bëhen gay. Jo, domethënë, ti lind ose je gay. Është pjesë e identitetit tënd. Nuk është diçka që mund të ndikohet përmes edukimit. E vetmja gjë që edukimi mund të bëjë është t’i ndihmojë njerëzit të mos kenë frikë nga diversiteti”, tha ambasadori.

Në paradë, e cila kaloi pa asnjë problematikë, teksa dhjetëra uniforma blu garantuan sigurinë, mori pjesë edhe zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, e cila u shpreh se çdo individ duhet të jetë i lirë të jetojë jetën e tij me dinjitet dhe pa frikë.

“Unë mendoj që prezenca ime këtu sot përveç solidaritetit, mendoj që tregon edhe një mbështetje sa i përket një komuniteti i cili me patjetër në linjë të parë të tij dëshiron njohjen respektin dhe dinjitetin për jetët njerëzore sepse unë besoj fort që poshtë e vërteta askush nuk duhet të ketë frikë nga vetja nga vetvetja, do të duhet të jetojë në një vend ku njihet dhe respektohet dinjiteti njerëzor”, tha zv/kryeministrja.

“Të kesh lirinë të shprehesh” ishte një nga thirrjet më të forta të qindra pjesëmarrësve në paradë, një pjesë e madhe e ardhur nga jashtë vendit, e cila nisi nga qendra e Tiranës dhe vijoi përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

“Secili ka të ketë identitetin e vet, dhe të mos shihet për atë që është. Kështu që unë dhe i mbështes për atë gjë që ata kanë bërë edhe mendojnë të bëjnë.”

“Është e rëndësishme që në një farë mënyre të legjitimohet ekzistenca e diversitetit. Sepse na mohohet në të gjitha mënyrat dhe është e rëndësishme që për një ditë në vit të vihet në fokus një çështje që është qytetërore.  Pasi është është kudo në shoqërinë tonë. Jemi njerëz mbi të gjitha. Ajo që na bashkon të gjithë arsyeja është jemi njerëz. Nuk ka rëndësi kë duam, kë dashurojmë. Ka rëndësi që jemi të gjithë të njëjtë.”

Edhe këtë vit, kërkesat kryesore të komunitetit LGBT+ mbetën legalizimi i martesave të së njëjtës gjini dhe ofrimi i shërbimeve shëndetësore më cilësore për personat transgjinorë.