PDIU
Ndërkohë që burime zyrtare pranë PDIU-së, deklarojnë se ata kanë bërë vetëm një propozim, por se cili shesh do të ndryshojë, atë e vendos bashkia. “Ne kemi bërë një propozim në bashkinë e Tiranës, që një sheshi në kryeqytet t’i vihet emri “Çamëria”. Ne nuk kemi kërkuar që një sheshi konkret apo një tjetri t’i hiqet emri, ne thjesht kemi bërë një propozim, dhe është bashkia e Tiranës, ajo që vendos se cili do të jetë sheshi që do të mbajë emrin që ne kemi propozuar. Edhe për sheshin “Avni Rustemi” ka vendosur bashkia”, - na shpjegojnë burime zyrtare nga PDIU.
HISTORIANET
Historianët, jo zyrtarisht, madje nuk e fshehin edhe dyshimin se pas këtij propozimi, mund të ketë edhe qëllime dashakeqe, pasi mund të gjenden plot sheshe apo rrugë që mund t’i vendoset emri “Çamëria”. Neritan Ceka, historian i njohur, por edhe këshilltar i kryeministrit Berisha, është mjaft i kujdesshëm në deklaratën e ti kur shprehet se përpara se të shkohet te prekja e emrit të Avni Rustemit, ka plot rrugë e sheshe që mund t’u ndryshosh emrat. “Emërtimi i shesheve dhe rrugëve është kompetencë e këshillit bashkiak, dhe ka pasur një histori të gjatë që në të tëra këto mandatet e bashkisë që nga viti 1992 ka pasur ndryshime të vazhdueshme të emrave të rrugëve dhe shesheve. Edhe pse unë jam historian dhe nuk mund të them ndonjë gjë të veçantë, mund të them që Avni Rustemi është padyshim një nga figurat më simpatike të perceptimit të historisë nga shqiptarët në përgjithësi, ndaj natyrisht duhet të jemi të kujdesshëm, në radhë të parë, në heqjen e emrit të tij. Është pastaj çështja e vendosjes së emrit “Çamëria” një prej rrugëve apo shesheve të bashkisë, që është krejtësisht çështje e këshillit bashkiak. Por unë mendoj se bashkia duhet të ketë marrë patjetër edhe mendimin e historianëve të periudhës që ka propozuar ndryshimin e emrit, por di të them që deri më sot nuk di të ketë pasur ndonjë diskutim për Avni Rusetmin, përveç atyre që ekziston në tekstet e shkollave. Është një figurë, roli i të cilit nuk është vënë asnjëherë në diskutim dhe besoj se në Tiranë ka qindra rrugë dhe dhjetra sheshe që mund t’ju ndërrohet emri, përpara se të vijë puna te heqja e emrit të “Avni Rustemit”, - na shpjegon Neritan Ceka.
TE MAJTET
Këshilltarët socialistë në bashkinë e Tiranë, thonë se vota e tyre, me datë 20 nëntor, do të jetë kundër këtij projektvendimi. Ata na shpjegojnë se më parë do të zhvillojnë një takim konsultues të gjithë bashkë, në mënyrë që të mbajnë një qëndrim të unifikuar. “Sigurisht që ne nuk mund të votojmë një vendim të tillë, pasi ai është absurd”, - na thonë këshilltarët e majtë.
(sg/shqiptarja.com)