Banorët e Kodër-Selitës janë terrorizuar, teksa kanë gjetur kafkën e një mashkulli të shkëputur nga trupi i dekompozuar.

Ka qenë një qytetar i cili ka gjetur kafkën e një njeriu të ndarë nga trupi i viktimës dhe që ka telefonuar në sallën operative të komisariatit numër 1 për të denoncuar ngjarjen.

Eshtrat që dyshohet se i përkasin një personi të seksit mashkull u dërguan menjëherë nga hetuesit në Institutin e Mjekësisë Ligjore për t’u ekzaminuar nga specialistët përkatës.

Nga këqyrja e kryer në vendin e ngjarjes, ekspertët kanë vënë re se "trupit të personit i mungonin gjymtyrë, që dyshohet se mund të jenë shpërndarë nga brejtësit, apo nga kafshët".

Sipas hetuesve eshtrat janë gjetur të shpërndara në një perimetër prej rreth 30 metrash nga njëra tjetra, çka ka bërë që policia të dyshojë se ato mund të jenë shpërndarë nga kafshët.

Dyshimet e ekspertëve kriminalistë dhe mjekëve ligjorë janë se eshtrat mund t’i përkasin një personi që mund të ketë qenë në moshën 35 vjeçare. Hetuesit kanë marrë dëshminë e dy personave të cilët kishin gjetur eshtrat, ndërsa kanë kryer kqyrjen e territorit si dhe të zonës për rreth.

Ekspertët mjeko- ligjorë, dyshojnë se personi mund të ketë vdekur nga shkaqe natyrale, por nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë dëmtuar apo të ketë vdekur pasi mund të jetë vrarë.

Për të identifikuar personin të cilit i përkasin eshtrat, policia pritet të verifikojë të gjithë denoncimet mbi personat e zhdukur gjatë vitit të kaluar, kur së paku dyshohet se mund të ketë vdekur personi të cilit i përkasin eshtrat e gjetura.

 Po ashtu hetuesit pritet të thërrasin edhe persona apo familje të cilët kanë denocnuar zhdukjen e të afërmve të tyre, për të bërë të mundur identifikimin e personit.

Njoftimi i policisë

Më datë 11.09.2016, rreth orës 11:00, në Kodër Selitë, është gjetur një trup të cilit i mungonin disa gjymtyrë, i skeletizuar. 
Nga hetimet paraprake dyshohet se trupi është i seksit mashkull dhe të ketë rreth një vit që ka vdekur. 
Nga veprimet proçeduriale nuk konstatohen dëmtime në pjesën e kafkës. 
Trupi i gjendur u dërgua për ekzemanim në mjekësinë ligjore.


Redaksia Online
Al.Ç/Shqiptarja.com