Tiranë - 40 mijë euro i grabitën një biznesmeni nga Shkodra, i mashtruar përmes rrjeteve sociale. Pesë persona, në bashkëpunim, e komunikuan në Viber kambistin 55 vjeçar duke iu prezantuar si të afërm të tij.
Ata i kanë kërkuar të bënte një këmbim parash në shumën prej 40 mijë eurosh, dhe si vend takimi për këmbimin do të ishte rrethrrotullimi pranë Aeroportit të Rinasit.
I bindur se po fliste me persona që i njihte, biznesmeni shkoi në Rinas, por aty u gjend përballë grabistëve, të cilët i morën paratë dhe u larguan. Pas ngjarjes, ai bëri kallëzim në polici, duke hapur rrugën për një operacion të shpejtë.
Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe komisariatet e Policisë të Kavajës dhe Divjakës, përmes operacionit “Skema” vunë në pranga 3 persona të akuzuar për grabitjen. Të arrestuarit u identifikuan si: Krenar Toromeni, 36 vjeç, banues në Divjakë, Ilia Gjini, 24 vjeç, banues në Divjakë, Artur Lecini, 39 vjeç banues në Kavajë, ndërsa dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim,
Gjatë kontrollit të banesës së Artur Lecinit, i cili jetonte me një tjetër persona i quajtur Elton Rrushi, i arrestuar për moskallëzim krimit, policia ka zbuluar një ambient të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, i pajisur me llamba dhe ventilatorë për rritjen e bimëve.
Në këtë ambient janë sekuestruar dhjetëra bimë kanabisi, pajisje për kultivim, sasi kokaine dhe kanabisi, katër aparate celularë, si dhe një automjet tip “Audi Q5”. Materialet e sekuestruara janë marrë në cilësinë e provës materiale, ndërsa vijon puna për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posacme Operacionale në DVP Tiranë, Komisariatet e Policisë të Kavajës dhe Divjakës, pas administrimit të kallëzimit nga një 55-vjeçar, se ishte mashtruar nga disa shtetas të panjohur prej tij, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Skema”, në kuadër të të cilit u identifikuan dhe u vunë në pranga shtetasit:
-K. T., 36 vjeç, banues në Divjakë, I. Gj., 24 vjeç, banues në Divjakë, A. L., 39 vjeç dhe E. Rr., 38 vjeç, banues në Kavajë. Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit E. B., 34 vjeç dhe L. M., 35 vjeç.
Shtetasit K. T, I. Gj, A. L, E. B dhe L. M, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në anë të mashtrimit duke iu prezantuar si i njohuri i tij, i kanë marrë shumë prej 40.000 euro një 55-vjeçari.
Në vijim, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A. L, ku është gjetur dhe shtetasi E. Rr, është zbuluar një ambient i përshtatur me pajisje elektrike, për kultivim të bimëve narkotike.
Në kuadër të operacionit, shërbimet e Policisë kanë gjetur e sekuestruar dhjetëra bimë Cannabisi, pajisje (llamba dhe ventilatorë) që shërbenin për kultivimin e tyre në ambiente të mbyllura, sasi Kokaine dhe Cannabisi, 4 celularë dhe 1 automjet tip “Audi Q5”.
Punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Komente









