Tiranë - Dy vajza, Monika Marku, 21 vjeçe dhe Suate Çeloaliaj, 25 vjeçe kanë rënë në prangat e policisë së kryeqyetit pasi tre ditë më parë së bashku me tre të tjerë morën peng një 27-vjeçar, me qëllimin për t’i marrë atij para.

Njëra nga vajzat, Monika Marku i çoi ftesë në rrjetet sociale të riut, lanë takim, dhe e ftoi të kalonin natën në një apartament me qira.

Në banesë i riu u përball me dy djem, të cilët kishin thika, armë zjarri dhe sëpatë. Ata e dhunuan fizikisht dhe e lidhën në tualetin e banesës. Autorët kërkuan 10 mijë euro, ndaj pasi e kërcënuan e lanë të lirë të shkojë të gjejë paratë. Nga frika, i riu u dha pengmarrësve që e prisnin poshtë banesës, 5 mijë euro.

Tre ditë më parë u arrestuan 2 persona, 24-vjeçarët, Lusjan Kimza dhe Asmireld Nimani. Në kërkim vijon të jetë ende Klajdi Nimani.

Djemtë e akuzonin 27-vjeçarin, se i kishte ofenduar nëpërmjet Suate Çeloaliaj.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të operacionit policor të koduar “Kufizimi”, i zhvilluar 3 ditë më parë nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 3 shtetas, janë kryer kontrolle për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

 Si rezultat, u vunë në pranga shtetaset M. M., 21 vjeçe dhe S. C., 25 vjeçe.  

Nga hetimet dyshohet se këto 2 shtetase, 2 shtetasit e arrestuar gjatë operacionit dhe shtetasi në kërkim K. N., kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, për t’i marrë para, 27-vjeçarit, duke i hequr lirinë, për disa orë, dhe duke e dhunuar fizikisht atë, në ambientet e një apartamenti.  

Punohet për kapjen e shtetasit K. N.  

Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurosisë, për veprime të mëtejshme.