Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza. Në pranga ka rënë një 48-vjeçar i cili shiste kokainë në doza në zonën e Vorës.

Ndërkohë gjithashtu është arrestuar edhe një 41-vjeçar, pasgjer në makinën që po lëvizte 48-vjeçari.

Ky i fundit u ndalua nga uniformat blu në vendin e quajtur “Nënkalimi i Marqinetit”. Gjatë kontrollit në automjet efektivët gjetën dhe sekuestruan lëndën narkotike dhe 2 peshore elektronike.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 7, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, dhe të mbështetura nga informacione se një shtetas shpërndante lëndë narkotike në zonën e Vorës, vijuan kontrollet me fokus identifikimin, kapjen dhe arrestimin e tij.

Si rezultat, u godit 1 rast i kësaj veprimtarie kriminale dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:

- Sh. D., 48 vjeç, banues në Kamëz, për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”;

- R. K., 41 vjeç, banues në Domje, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.

Në vendin e quajtur “Nënkalimi i Marqinetit”, shërbimet e Policisë ndaluan automjetin me drejtues shtetasin Sh. D. dhe pasagjer shtetasin R. K. Gjatë kontrollit të automjetit dhe më pas të banesës së 48-vjeçarit, u gjetën një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë dhe 2 peshore elektronike”, informoi sot policia.

Nga veprimet hetimore dyshohet se Sh. D., pasi siguronte lëndën narkotike të llojit kokainë, e ndante atë në doza dhe e shiste në sasi të vogla në zonën e Vorës.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.