TiranëNë orët e para të mëngjesit të mëngjesit, kur ishte ende errësirë, nje person i maskuar mirë, afrohet pranë një lokali në rugën “Ramazan Gaxheri” në Shkozë, dhe lë lëndën plasëse te motori i kondicionerit të marketit dhe pa zhurmë, largohet në këmbë nga vendi i ngjarjes përmes rrugicave që janë aty pranë. Sasia e eksplozivit shpërtheu vetëm pak më vonë.

Kamerat e sigurisë e gjurmuan autorin po në këmbë duke u larguar pranë Xhamisë së Artë dhe më pas në Fresk për të humbur gjurmët. Megjithatë, pavarësisht pamjeve hetuesit e Komisariatit nr. 4 nuk kanë mundur ta identifikojnë, të paktën deri në këtë fazë të hetimit.

Si pasojë e shpërthimit rreth orës 04:15 të mëngjesit, u shkaktuan vetëm dëme materiale, dhe pa dëme në njerëz. Marketi është emër të Lulzim Likës, 54 vjeç, i cili rezulton të jetë babai i Aldo e Ali Likës, 2 vëllezërve të shpallur në kërkim për atentatin e një jave më parë ndaj Kejdi Spajës, prej konfliktit të një borxhi, ku mbeti i plagosur polici Anxhelo Kumaraku. Ky i fundit mori plumb në këmbë, ndërsa shënjestra, edhe pse në “arrest shtëpie” pasi theu urdhrin e gjykatës, mundi t’i shpëtojë mrekullisht plumbave.

Ngjitur me marketin e Lulzim Likës ndodhet edhe një lokal, i cili rezulton të jetë po ashtu i familjes, në emër të djalit tjetër të tij. Hetuesit dyshojnë se vendosja e lëndës plasëse është hakmarrje e atentatit të dështua të 18 majit, ku Spaja u mbijetoi plumbave, kjo si pistë kryesore e hetimeve.

Pronarët e marketit dhe lokalit nuk u dhanë detaje apo dyshime për njeri hetuesve, të cilët po punojnë për të zbardhur të plotë rastin e shpërthimit. Nuk përjashtohet mundësia e ndonjë piste tjetër, megjithatë kryesorja mbetet ajo e hakmarrjes.