TIRANË - Komisariati i Policisë Nr. 2 ka finalizuar operacionin policor të koduar "Next" për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve. Gjatë kontrollit të një automjeti në rrugën "Naim Frashëri", u kapën në flagrancë dy shtetas, Gliard Gusholli, 35 vjeç dhe Frenk Permarkaj, 24 vjeç, banues në Tiranë, të cilët po transportonin një pako me 24 gramë kokainë, të cilën dyshohet se e posedonin me qëllim shitjen në doza.
'Në rrugën “Naim Frashëri”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin G. G. dhe pasagjer shtetasin F. P. Gjatë kontrollit të automjetit u gjet një pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë (me peshë 24 gramë), të cilën dyshohet se këta shtetas e posedonin me qëllim shitjen në doza.', njofton policia.
Gjatë hetimeve, u konstatua se Gliard Gusholli kishte thyer masën e sigurisë "Arrest në shtëpi", të caktuar nga Gjykata për veprën penale "Dhuna në familje".
'Nga verifikimet e kryera për rastin rezultoi se shtetasi G. G. kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Dhuna në familje”.', vijon policia.
Në përfundim të operacionit, janë sekuestruar sasia e kokainës, 2 aparate celular dhe 1 automjet. Materialet procedurale janë dorëzuar në Prokurorinë për veprime të mëtejshme.