Kryebashkiaku Veliaj në një mbledhje me Këshillin Bashkiak, deklaroi se do të zgjidhet një herë e mirë problemi i banesave të pahipotekuara.

Veliaj u shpreh se do të zhbllokohen 30% e banesave të pahipotekuara të cilat nuk pajisen dot me leje përdorimi. Bashkia e Tiranës do të legalizojë 400 pallate pa leje. 
 
“Vetëm në Tiranën brenda vijës së verdhë ka 1375 objekte të tilla. Në total, në Bashkinë e Tiranës që kemi sot rreth 30% e ndërtesave janë të pa hipotekuara dhe arsyeja kryesore për këtë është sepse nuk pajiseshin dot me leje përdorimi. Në shumicën e rasteve përgjegjësia për këtë situatë është e ndërtuesve dhe investitorëve, por ata që kanë paguar pasojat janë qytetarët. Ne kemi arritur t’u japim tashmë hipotekën disa pallateve në Tiranë, por me këtë vendim besoj se i japim një zgjidhje të qëndrueshme këtij problemi”
, tha kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj. 

Një tjetër pikë të rendit të ditës për të cilën u shpreh Veliaj është vendimi për rritjen e taksave për ndërtuesit. Kryebashkiaku përshëndeti vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mos pezullimin e rritjes së taksës për ndërtuesit. Veliaj u shpreh se kjo taksë do të vazhdojë të jetë në vlerën e 8%. 
 
''Dua të përshëndes vendimin e Gjykatës Kushtetuese që refuzoi të pezulltonte taksën e ndërtimin. Ajo do vazhdojë të këtë të njejtën vlerë, me 8%. Kemi bërë një rritje për milionerët jo për shtresën e varfër'',  deklaroi Veliaj.
 
Kreu i Bashkisë preku edhe një çështje siç janë çerdhet, ku shprehu nevojën emergjente për hapjen e 2 çedheve të reja për shkak të fluksit të madh të fëmijeve. Veliaj deklaroi se kjo do i krijojë mundësi punësimi për  45 punonjëse në këto 2 çerdhe të reja.  

Një tjetër ndryshim që pritet të ndodhë është procedura e marrjes së aboneve për udhëtimin në autobus. Veliaj deklaroi se kompanitë nuk do të shesin më abonetë, por shpërndarjen e tyre do e bëjë bashkia.

Një ndër planet e afërta të bashkisë së Tiranës është futja në qarkullim e abonesë elektronike. 

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com