“Sezon artistik online ndiq “Opera me pizhama”, prej datës 11 prill, opera, balet, koncerte, performanca-soul”, njofton Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor ( TKOBAP). Sipas drejtuesve të këtij institucioni sezoni artistik online do të vijë me një program që përmban opera, koncerte, balet, etj.
Opera “La Boheme” që ishte lajmëruar më parë nga TOB, nuk arriti të ngjitej në skenë këtë sezon për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19. Ndërkohë që Teatri i Operës dhe Baletit ashtu si dhe të tjera institucione për shkak të gjendjes në vend me virusin Corona kanë pezulluar prej një muaji aktivitetin artistik për publikun në skenë, drejtoresha e TKOB, Zana Çela, bën me dije se artistët po zhvillojnë provat në shtëpitë e tyre për të përcjellë programin muzikor.
“Shfaqjet online do fillojnë në 11 Prill, pra këtë javë ne kemi premierën e parë online. Vendosëm që t’ju qëndrojmë pranë njerëzve përsëri, sidomos pranë fansave të operës, që janë mësuar të na dëgjojnë, të na shikojnë dhe menduam t’ju servirim publikut pikërisht një sezon artistik online. Të gjitha gjinitë e shfaqjeve do të transmetohen në faqen e YouTube të TKOBAP dhe njëkohësisht linqet përkatëse do të shpërndahen në web, facebook dhe Instagram.”, deklaron drejtoresha e TKOB, Zana Çela. Artistët ndërkohë kanë nisur punën me programin muzikor, që do të jetë online për publikun më 11 prill nga faqja e TOB në Facebook, me opera, balete dhe koncerte. Në këtë program do të përfshihen edhe artistët italianë që kanë bashkëpunuar me TKOB-in gjatë këtij sezoni artistik, sic është aria e njohur “Visi d’arte” nga opera “Toska” e kompozitorit Xhakomo Puçini, që do të këndohet nga sopranoja e njohur Eva Golemi, Të mbyllur në shtëpitë e tyre artistët këtë herë do të kenë një koordinim ndryshe, çdo artist tashmë po përgatit materiale nga shtëpia e tij, i regjistron përmes celularit dhe këto filmime do të shfaqen online.