Parulla e Kosovës, është gjithnjë ajo e dëftimit se ky vend vetëm vetes nuk i takon. Si një copë tokë e shenjtë por e nëmur me emrin “Fushë e mëllenjave”. Emrin e saj thonë se mund ta kuptojnë të gjithë ata që njohin gjuhët e huaja, vetëm shqiptarët e saj jo.

“Kosovë” në shqip nuk ka asnjë kuptim, së paku deri tash jo.

Kosova është Serbi. E kujt është Kosova? Ka njeri ndër ne që nuk është nga Kosova? Ka njeri ndër ne që mendon se Kosova nuk është e tij? Kosova - ky është emri i parë i Serbisë. A ka ndonjë serb, ndonjë herë, të thotë ndryshe, pos – “Kosova është Serbi”.

Kështu do të flisnin të gjithë krajlat e Serbisë, më pas kryeministrat e saj dhe gjithë të tjerët në hierarkinë e shtetit dhe të kishës serbe, madje edhe në kohën kur Kosova e mitit serb po shpallej shtet më vete.

Pikërisht për këtë, në dhjetëra protesta e demonstrata do të propagandohej parulla e njëjtë- “Kosova është Serbi”! Po kështu, vetëm se me një tjetër figurë, do të fliste një poet i ri serb, të cilin disa nga kritikët do ta quajnë “modeli që frikshëm “urren” serbët, dhe vetveten”, kur ironizon dhe përqesh nacionalistët serbë.

“Mos ma prekni Kosovën! Në Kosovë jam bërë burrë, në Kosovë kam humbur virgjërinë”…kritikët e historianët e huaj ndërkaq, kanë ditur t’i bëjnë thirrje Serbisë që t’i shohë me ‘sy’ mitet nacionale. Kjo nuk ka ndodhur dhe s’ka asnjë gjasë të ndodhë në një kohë të afërt.

Tradita gojore serbe për më shumë se gjashtë shekuj tashmë ka krijuar realitetin e vet, dhe vështirë do të ishte që çfarëdo argumentesh të mund t’i rrëzonin legjendat, simbolet dhe mitet që kanë ndërtuar mitologjinë kombëtare serbe.

Kosova është Serbi. Kosova është Turqi. Kosova është Kroaci. Kosova është Evropë, duhet të jetë Amerikë dhe kështu deri në pakufi, thua se Kosova është “legjenda” e popujve të huaj dhe sa pak e vetes së saj…

Edhe “turqit myslimanë”, edhe “vëllezërit e mëdhenj”, e duan për vete. Por e kujt është Kosova, dhe çfarë ka kjo tokë që ju ka lënë kaq shije gjithë dynjasë përreth dhe të tjerëve sa larg?

Serbët e shohin këtu lindjen e kombit të tyre, vendin e shenjtë, zanafillën e historinë, gjithçka, sipas tyre, nis po këtu. Fusha e mëllenjave për ta është si Tempulli i Romës e Jerusalemi i hebrenjve apo i kujtdo qoftë. Për turqit ndërkaq, ka gjëra të tjera plot përtej mallit e nostalgjisë për fuqinë e dikurshme.

Këngët epike, librat e historisë e letërsia fiktive, kanë shkruar për betejat, për luftërat, për perandoritë e për mbretërit, por beteja pothuajse gjithnjë i ka takuar të tjerëve.

Kosova, fusha e mëllenjave ose toka me legjendën e pasurisë nën dhe, është aq e vogël sa nuk ndahet në njëmijë copa dhe sot e gjithnjë, ka qenë më pak se sa e mjaftueshme sall për njerëzit e saj.

Minierat e “arit” të saj, që për dreq ende sot nuk i pamë, janë bërë si ajo ëndrra e egër amerikane. Vetëm se ndryshe nga ëndrrat e egra në kontinentin e largët, kjo copë toke, befasitë i ka pasur të shumta, dhe për njerëzit e saj, ato që i ka dhënë, kanë qenë shumë larg gurëve të çmuar.

Ajo është më e vogël sesa vendet përreth, më e varfër sesa krejt Rajoni i Ballkanit dhe larg, shumë larg, demokracisë e mirëqenies në kontinentin ku përket.

Ajo sot është në bishtin e fuqisë, është në majën e varfërisë, është në luftë të vazhdueshme për identitetin e vet shtetëror dhe nacional dhe mbi të gjitha në luftë për kufijtë e saj, që i ka më të thyeshëm sesa edhe vetë “Evropa pa kufij”!

Duhet të ketë diçka magjike, kur gjithë dynjaja përreth e edhe më larg, janë sulur drejt saj dhe secili e do për vete. Duhet të ketë diçka hyjnore mbase, që emrin Kosovë, e kanë shndërruar në emër kuptimi për tokën e askujt.

Mund të jetë që “toka pa zot” është e të gjithëve njëkohësisht, sepse mallin pa zot, thonë se nuk e mbron as Zoti! Është e pamundur që sot kur “globalizmi” po na e zë frymën dhe kur shtetet me ngadalë po shndërrohen në vende kuptimi, një popull fisnik të përballet me të drejtën e pronësisë mbi vendin.

Miqtë le të flasin e le të bërtasin se Kosova është Serbi, është Turqi, është Evropë, është Amerikë, ose është e këtij e atij, por për të gjithë të tjerët, ka një përgjigje që poeti e kish lënë dikur si testament për grabitqarët e huaj: “Tokë me nda nuk kam, Hasmi në të sames...!”