Torino, kuriozitet për thesaret e
Shqipërisë në  Muzeun e Artit

Torino, kuriozitet për thesaret e <br />Shqipërisë në  Muzeun e Artit
ITALI - Rreth 35 mijë qytetarë artdashës kanë vizituar ekspozitën “Thesaret e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare”, që u zhvillua në Torino nga 24 janari në 7 prill 2013. E organizuar me rastin e njëqind vjetorit të pavarësisë nga Ministria e Jashtme dhe ajo e Kulturës e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ambasadën shqiptare në Romë dhe ministritë homologe në vendin fqinj, ekspozita u paraqit në mjediset sugjestive të Muzeut të Artit Antik në Palazzo Madama, godinë historike në qendër të Torinos, dikur kështjellë mesjetare pjesë e pallatit mbretëror të dinastisë Savoja.

Objektet e ekspozuara i ofruan publikut torinez një udhëtim emocionues në kohë dhe hapësirë, nga epoka parahistorike deri në mesjetën e vonë. Ato erdhën në kryeqendrën subalpine në një përmbledhje të rrallë, ku bënin pjesë disa prej veprave më të njohura e më të rëndësishme të trashëgimisë sonë historike dhe kulturore, ndër të cilat “Koka e Apolonit”, e njohur për vite me rradhë si “Dea e Butrintit”, “Epitafi i Gllavenicës” dhe një përzgjedhje e pikturave ikonografike të mjeshtrit të madh shqiptar, Onufrit.

Me rastin e mbylljes së ekspozitës, Qendra e Kulturës Shqiptare në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në Itali dhe Bashkinë e Torinos organizuan një seri veprimtarish kushtuar kulturës, artit dhe trashëgimisë së vendit tonë. Ndër to spikatën paraqitja e filmit dokumentar “Anija”, i regjizorit Roland Sejko, kushtuar “eksodit” të shqiptarëve drejt Italisë në vitet ’90-të, prezantimi i librit të antropologut torinez Francesco Vietti, “Hotel Albania”, që trajton temën e potencialit të madh turistik të Shqipërisë, si edhe konferenca përmbyllëse kushtuar ekspozitës, e organizuar në bashkëpunim me Muzeun Arkeologjik të Torinos.

Në takime mori pjesë edhe arkeologu i mirënjohur, profesor Neritan Ceka, i cili është gjithashtu edhe ambasadori i ri i Shqipërisë në Itali. Gjatë vizitës së tij në Torino prof. Ceka zhvilloi gjithashtu edhe disa takime me përfaqësues të institucioneve vendore, të interesuara të zhvillojnë më tej marrdhëniet e bashkëpunimit me Shqipërinë.

5
(Foto nga ceremonia e mbylljes së ekspozitës)

VLERESIMET PER EKSPOZITEN NGA:

PROF, NERITAN CEKA:

"Ekspozita kushtuar “Thesareve të Trashëgimisë Kulturore Shqiptare” u prit me mjaft interes nga publiku torinez, çka dëshmohet edhe nga numri i lartë i vizitorëve. Për organizatorët, ajo përfaqësoi jo vetëm një veprimtari kulturore të nivelit të lartë, por edhe një përpjekje të suksesshme për të afruar më shumë, përmes kulturës, dy vendet tona".

ASESORI I BASHKISE SE TORINOS, MAURIZO BRACCIALARGHE:

 “Për ne ishte një kënaqësi dhe një nder që patëm mundësinë ta mikprisnim ekspozitën shqiptare në këtë hapësirë të rëndësishme të qytetit të Torinos dhe urojmë që ky të jetë fillimi i një bashkëpunimi të vazhdueshëm mes dy vendeve tona; jemi shumë të interesuar të ballafaqohemi me kulturat fqinje dhe të ndërtojmë marrdhënie bashkëpunimi bazuar pikërisht mbi trashëgiminë kulturore. Mjafton të vizitosh këtë ekspozitë për të kuptuar se e bukura, për fat të mirë, nuk njeh kufij dhe rrënjët e identitetit kulturor të dy vendeve tona janë me të vërtetë të thella”.

5
(Foto nga ceremonia e mbylljes së ekspozitës)

DREJTORJA E MUZEUT PALAZZO MADAMA, ENRICA PAGELLA:

“Ekspozita na dha mundësinë të njihnim një vend që ndodhet fare pranë nesh, por mbetet ende, për shumë aspekte, thuajse i panjohur. Patëm kështu rastin të njihnim tokën e një qytetërimi të madh, që ka qënë historikisht një urë lidhëse mes lindjes dhe perëndimit, ku ndikimet e qyteterimit greko-romak dhe atij ilir janë ndërthurur në vepra dhe objekte të veçanta dhe mbresëlënëse”.

Interesim të veçantë ndaj ekspozitës ka shfaqur edhe bashkësia e madhe shqiptare që jeton tashmë prej vitesh në Torino dhe në rajonin e Piemontit. Shqiptarët e këtij territori, në mënyrë të veçantë fëmijët e emigrantëve, që kanë ardhur këtu në moshë të vogël bashkë me familjet dhe e njohin fare pak vendin e tyre te origjinës kanë patur kështu mundësinë të njihen përmes ekspozitës me tiparet karakteristike të qytetërimit në trojet shqiptare dhe të mësojnë shumë gjëra të reja për historinë e vendit të tyre.

STUDENTE ITALIANE TE LICEUT ARTISTIK:

"Na pëlqyen në veçanti stolitë, të cilat janë të mrekullueshme! Por edhe statujat e hyjnive janë mbresëlënëse. Përpara se të vinim këtu nuk dinim shumë për Shqipërinë. Duke vizituar ekspozitën mësuam shumë për kulturën shqiptare duke marrë prej saj edhe frymëzim, pasi jemi studentë të liceut artistik!”

Ndër vizitorët e shumtë të ekspozitës nuk kanë munguar personalitete të jetës publike të Italisë, si kryetari i Bashkisë së Torinos, z. Piero Fassino apo ish-kryeministri, z. Massimo D’Alema, të cilët kanë qënë ndër të parët që janë njohur me thesaret shqiptare të ekspozuara dhe kanë shprehur vlerësimin e tyre të lartë. Ndërkaq, ekspozitën e ka vizituar edhe një personazh i njohur i botës së sportit, trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, që e komentoi kështu ekspozitën:

TRAJNERI I KOMBETARES SHQIPTARE, GIANNI DE BIASI:

“Isha shumë kurioz dhe i interesuar ta vizitojë ekspozitën kushtuar thesareve të Shqipërisë dhe kam marrë prej saj përshtypje shumë të mira. Pati fatin të shoqërohesha nga ambasadori shqiptar, shpjegimet e të cilit më ndihmuan ti vlerësoj edhe më shumë këto thesare të Shqipërisë. Më ka bafasuar numri i lartë i objekteve të rëndësishme të trashëgimisë që zotëron Shqipëria. Unë jetoj në Shqipëri dhe kjo vizitë më ka ndihmuar ta njoh më mirë origjinën e saj dhe ti forcoj lidhjet me tokën shqiptare.”

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

Dialogu/ Petkoviç: Komisioni i Përbashkët për personat e zhdukur nis punën në janar, Kosova s'do që të hapë arkivat e UÇK

Dialogu/ Petkoviç: Komisioni i Përbashkët për personat e zhdukur nis punën në janar, Kosova s'do që të hapë arkivat e UÇK