Kremtimi i tortës gjigante dje në Tiranë më gjeti të sekuestruar në një studio televizive të A1 Report, ku kisha shkuar për të biseduar rreth librit dhe të tjerave tema “të miat” me sugjerim të botueses Dudaj; dhe ashtu e pashë të transmetuar live një ngjarje që përndryshe do ta kisha snobuar, meqë nuk besoj të ketë gjë më të mërzitshme në këtë dynja, sesa të shohësh disa njerëz (aq më keq politikanë) që presin një tortë.

Natyrisht, eventi gastronomik do të merrte përparësi ndaj kundërshtimeve të mia për purizmin, dhe ashtu u përfshimë, me drejtuesen e emisionit M. Kazhani, në një bisedë komentuese rreth çfarë po shpalosej në ekranet, përtej kuqezisë së detyruar të festës; edhe pse ishte praktikisht e pamundur të përmbaje hilaritetin, kur kryebashkiaku i Tiranës ia dha fjalën “njeriut që e mbështeti dhe ndoqi minutë pas minute gjithë përgatitjen”, dhe që unë kujtova se do të ishte kryepastiçieri ose kushedi ndonjë inxhinier kremërash, por që paskësh qenë no one but mah main man, kryeministri i Shqipërisë Berisha, i cili megjithë agjendën e ngjeshur kish mundur të merrej edhe me administrimin e ëmbëlsirës ceremoniale.

Natyrisht, u tha dhe u përsërit me këtë rast se kjo ishte torta më e madhe në këtë anë të Rrugës së Qumshtit, 550 metra katrorë dhe 15 ton, një fushë e mirëfilltë futbolli, që vezullonte ngjyrë shege, me një shqiponjë të zezë dhe enigmatike në mes; në ekran siprina e tortës dukej sikur dallgëzonte lehtazi, një flamur prej kremi, lëngu shege dhe gjalpi të freskët, kurbani kosher për Tiranën, pas braktisjes dinake të planit A, ose të qingjave qumështorë.

Pastaj sollën një si thikë rrethore, nga ato të picave por edhe ajo kushedi më e madhja në Rumeli, dhe gjithçka dukej se po shkonte sipas parashikimeve, me kusht që këto parashikime t’i kish bërë kush; dhe pushtetarët kullufitën nga pak tortë për harenë e të gjithëve, në një kohë që masa e njerëzve e mbledhur në shesh dukej ende e matur dhe e përmbajtur, edhe pse me stomakun të gatshëm për kremtimin gustativ të tortës kuqezi, dhe bashkëbiseduesja ime në studio po e kthente me lezet muhabetin në temat “tona”, kur befas ia nisi një farë trazimi në turmë, tek buthtuan pak figura katalitike, të shpupurisura dhe gjithnjë anonime, me xhupa ngjyrë miu, që duke u shtyrë brinjas përftuan vorbulla alarmante, mu nën sytë thithës të kamerave.

Ashtu robtë e ardhur atje veç e veç e filluan metamorfozën e tyre në turmë, teksa unë – dhe besoj të tjerë shikues të A1 Report – po dëgjonin telekronikën e shqetësuar të Kazhanit, si të një ndeshjeje regbije që po i dilte arbitrit nga dora kushedi edhe për faj të ndonjë çete tifozësh të zbritur si përrua në fushë; dhe turma po i avitej tortës tashmë me një hap dhe ritëm tjetër, më kërcënues, sikurse veç turma di ta bëjë; dhe sakaq u shfaq një grua e shkalafitur, së cilës i ra të fikët mu përpara tortës, në krahët e bëshëm të policëve, si t’i ish fanitur ndonjë vizion i përtejmë, dhe u desh ky incident grotesk që ta shndërronte festën në festival, nga ato të Dionisit në Greqinë e lashtë, sepse tashmë midis turmës dhe tortës më të madhe në galaktikën tonë nuk gjendej më asnjë barrierë, asnjë hendek, asnjë rrip toke të askujt.

Çfarë të thuash në këto raste, përveçse të sjellësh në mendje e kushedi edhe në vëmendje pamje të tjera turmash të ngjashme, madje të njëjta, si ato të krizës së ambasadave në korrik të 1990-ës, ose të refugjatëve shqiptarë në kalatat e porteve të Puglia-s në pranverë dhe në verë të 1991-shit; ose edhe më keq, ato të sulmit ndaj Pallatit të Dimrit (korrigjoj: selisë së kryeministrisë) në janar të 2011-ës; vetëm se në këtë rast nuk ish fjala për dhimbje, as për uri e panik, as për etje dhe frikë dhe dëshirë për ikje; por vetëm për festë, të pompuar nga politika dhe të zbrazur nga kuptimi, mu për shkak të pompimit.

Kjo ishte festa e tortës, e ideuar në Tiranën kaotike të këtij 28 nëntori, për turp të organizatorëve – të cilët nuk arritën të parashikojnë e të programojnë asgjë, as të ngrenë në këmbë ndonjë sistem të thjeshtë mekanik për kontrollin e masës së njerëzve në lëvizje. Tashmë nuk shihje më as autoritete, as polici; por vetëm “qytetarë” që sulmonin qilim-flamurin prej kremi, me qese dhe kuti plastike dhe lopata; teksa të tjerë nisën të ecin mbi të, si të ishte edhe torta një truall për t’u kapur e për t’u dhunuar; shtresë e freskët çimentoje për t’u shenjuar me gjurmën e çizmes. Torta më e madhe në univers, vërtet; por edhe budallallëku më i madh i vitit, së paku brenda sistemit tonë diellor.

Çfarë i bëri vallë njerëzit të lëshoheshin ashtu mbi ëmbëlsirën publike? Asgjë, vërtet; askush prej tyre, i marrë veçmas, nuk do të kish guxuar t’i vërvitej tortës aq babëzisht. Përkundrazi, ishte turma ajo që sulmoi, dhe motivet e turmës janë sa të thjeshta, aq edhe të vështira për t’u verbalizuar: turma iu vërvit tortës sepse torta thjesht ishte aty, e ofruar për konsum; tek e fundit njerëzit prandaj edhe ishin mbledhur në shesh, jo aq për ta ngrënë tortën, sesa për ta konsumuar simbolikisht; torta ishte arsyeja e turmës, po aq sa ç’ishte turma arsyeja e tortës.

Në këtë tablo, që rimerr emblematikisht historinë e marrëdhënieve tona me hapësirën publike këto njëzet vjet, munguan vetëm forcat e rendit, organizatorët, sistemi i kontrollit masiv, parashikimi i skenarit më të keq; me fjalë të tjera, qytetërimi, gjakftohtësia dhe përgjegjshmëria. Festa e madhe e 100-vjetorit të Pavarësisë, degradoi kështu në një konsum ritual të flamurit kombëtar, të cilin njerëzit e copëtuan dhe e hëngrën; veç jo me rregull dhe hijeshi, si në gostinë aq të pritur dhe të uruar; por me atë kaos, egërsi dhe instinkt të cilin jemi mësuar tashmë ta shohim te shqiptarët, sa herë që këta mblidhen bashkë, në momente kritike të historisë.

E ulur përballë meje, Kazhani më tingëllonte pak e shqetësuar nga pamjet, por ndoshta këtë shqetësim ia kërkonte edhe roli në mos përgjegjësia; unë mbeta, përkundrazi, indiferent – të thuash se nuk prisja më tepër, prej një mase të mbledhur në shesh për të festuar rekordin botëror në lëmin e pastiçerisë dhe për të marrë pjesë në konsumin ritual të këtij rekordi. Megjithatë, më duhet të rrëfehem se pamja e disa pak të çarturve që vraponin mbi tortë, me një shprehje pothuajse bezdie në fytyrë, do të më mbetet në mendje; por ndoshta thjesht ngaqë nuk shoh shumë televizion dhe aq më pak televizionin shqiptar, që është shquar gjithnjë për zotësinë me të cilën i ka përcjellë live momentet më të shëmtuara, në mos më dramatike, të dinamikës së turmave tona në këto 20-25 vjet, të cilët, në analizë të fundit, kanë qenë vitet e turmave, teksa shqiptarët kanë fituar njëkohësisht edhe lirinë edhe demokracinë, por me çfarë çmimi! Historia përsëritet, le ta themi edhe një herë me Hegelin, por herën e parë si kurban gjaku, dhe herën e dytë si ëmbëlsirë – pa çka se dinjitetin e shtetit dhe të qytetarit e kemi shkelur me këmbë në të dy herët.

Kështu e kalova pasdreken e festës së madhe duke filozofuar mbi një fiasko; dhe duke u bërë pjesë, dashur pa dashur, në shndërrimin e kësaj orgjie gastronomike në diçka në mos të pranueshme, së paku zbavitëse për publikun. Ja ç’të bën Tirana…

 Shkrimi origjinal