Toyota Yaris/ 4 prokurorë intervistojnë Bashën, ja pyetjet që ju bënë kryedemokratit

Toyota Yaris/ 4 prokurorë intervistojnë Bashën, ja pyetjet që ju bënë kryedemokratit

 “Shqiptarja.com” ndër pyetjet që i janë bërë kreut të PD janë nga katër prokurorët belgë dhe nga prokurorët shqiptarë Ened Nakuçi dhe Doloreza Musabelliu të cilët po kryejnë hetime në Shqipëri :

1. Si u informua Lulzim Basha për sasinë prej 3,4 milionë Euro në makinën tip Toyota Yaris?

2. Cilat ishin informacionet ekzakte dhe kush ishte burimi I këtij informacioni?

3. Kush ia dha zotit Basha këtë informacion?

4. A ka lidhje shoqërore apo farefisnore Lulzim Basha me personat Alfred Vladi, Elvis Vladi, Edi Lika, Agim Ceka, Alban Mollaymeri, Niman Nimani, Alman Nimani, Albana Vladi, Arianit Nimani, Drita Sopo dhe Driton Hakaj.

5. A ka qenë ndonjë nga këto persona sponsorë të Partisë Demokratike apo zyrtarë shtetërorë gjatë kohës kur PD, drejtonte qeverinë?

Kujtojmë që personat që po verifikohen në Belgjikë janë Alfred Vladi, Elvis Vladi, Edi Lika, Agim Ceka, Alban Mollaymeri, Niman Nimani, Alman Nimani, Albana Vladi, Arianit Nimani, Drita Sopo dhe Driton Hakaj.

Belgët janë vënë në dijeni në rrugë informale, se i pari që ka dhënë informacion për këtë çështje në sallën e parlamentit shqiptar, ka qenë deputeti dhe kryetari i PD Lulzim Basha. Nisur nga kjo situatë prokurorët belgë, kanë kërkuar nëpërmjet një letërporosie që prokuroria dhe policia shqiptare të marrin në pyetje Lulzim Bashën. Por nga fillimi i qershorit, e deri më tani, belgët ndryshuan plan, duke zgjedhur të mos ja lenë hetimin e tyre palës Shqiptare, por të udhëtojnë vetë në Shqipëri, për të marrë në pyetje Lulzim Bashën.

3.4 milion eurot u gjetën dhe u sekuestruan në makinën “Toyota Yaris” para disa muajve në Portin e Durrësit çështje, për të cilën, Lulzim Basha ka akuzuar një ditë para se ngarkesa të kapej, kreun e Grupit të Partisë Socialiste Taulant Balla, si të përfshirë në këtë çështje, ndërsa ky i fundit i ka cilësuar akuzat në emër të tij shpifje. Ndërkohë pak muaj më parë Belgët sollën në Shqipëri disa informacione përfshirë këtu dhe dëshmitë e disa personave, që janë shtetas belgë.

Përgjigja që ka mbërritur nga Belgjika në prokurorinë Shqiptare, për çështjen e 3.4 milion eurove të bllokuara në portin e Durrësit, duket se nuk ndihmon shumë hetimet e akuzës. Kjo pasi nuk jep të dhëna për origjinën e parave por dhe për personin që ka futur në “Toyota Yaris“ shumën e 3.4 milion eurove.

Shitësi i kësaj makine është identifikuar në Belgjikë dhe është marrë në pyetje nga autoritet e këtij vendi. Gjatë marrjes në pyetje shtetasi Belg ka pohuar se nuk e njihte më parë personin që ia ka shitur makinën, pasi fillimisht kontakti me klientit është bërë nëpërmjet internetit dhe më pas është rënë dakord që të takoheshin nga afër për të parë dhe automjetin. Gjithmonë sipas dëshmisë së shtetasit belg, është takuar me klientin dhe më pas ka rënë dakord ti shiste automjetin shqiptarit. Për këtë çështje dy prokurorë shqiptarë, kanë shkuar në muajin dhjetor 2018 në Belgjikë duke marrë kontakt me palën belge dhe kanë kërkuar informacion mbi lëvizjet e dy kushërinjve Alfred dhe Elvis Vladi. Hetuesit kanë marrë të dhëna edhe për sa i përket aktivitet kriminal të Alfred dhe Elvis Vladit në Blegjikë, ku sipas përgjigjes nga policia e këtij vendi thuhet se ata nuk janë proceduar ndonjëherë në Blegjikë për asnjë vepër penale. Por ndryshe nga sa thonë autoritet belge, njëri nga kushërinjtë Vladi, Elvisi tre vite më parë është arrestuar në Londër për përfshirje në një grup kriminal i specializuar në trafikun e kokainës. Emri i Elvis Vladit është pjesë e një dosje gjyqësore për një grup të organizuar kriminal shqiptarësh të përfshirë të tregtinë e kokainës.

Ky grup kriminal në vitin 2016 do të dënohej me një total dënimesh prej 50 vite burg. Nga ana tjetër prokurorët kanë dyshime të forta se makina “Toyota Yaris“ është blerë nga Alfred Vladi dhe më pas në dyert e makinës është fshehur sasia e parave prej 3.4 milion euro, duke u nisur me pas në Shqipëri së bashku me 7 automjete të tjera që ishin ngarkuar në një kamion tip “Bizar”.

I pari që nxori emrin e Alfred Vladit në prokurori ishte Alban Mollaymeri. I pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime Alban Mollaymeri deklaron se ka një aktivitet privat servis për makina. Ai deklaron se disa muaj më parë ka porositur disa makina të tipit “Toyota”, nëpërmjet njeriut të tij që quhet Alfred Vladi nga Tirana. Këto makina ai së bashku me Alfredin ai i gjente në internet dhe Alfredi i porositi jashtë Shqipërisë. Këto makina që kishin porositur kanë ardhur dhe ai ka shkuar në Durrës, për të bërë zhdoganimin e tyre.

Nga këqyrja e telefonave të këtij personi ka rezultuar se Mollaymeri ka komunikuar me Alfred Vladin, menjëherë sapo është vendosur bllokimi i automjeteve. Ndërkohë që Mollaymeri, në këtë rast ka pohuar se nuk ka qenë ai porositësi i makinave por Alfred Vladi. Por nga verifikimi i dokumentacionit, “Toyota Yaris” ekziston se është porositur nga Mollaymeri.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Netanyahu në gjykatën e Tel Avivit për të dëshmuar mbi akuzat për korrupsion

Netanyahu në gjykatën e Tel Avivit për të dëshmuar mbi akuzat për korrupsion