TURQI - E ardhmja e Ernest Muçi është kthyer në një nga temat më të nxehta të merkatos në Turqi. Forma e shkëlqyer e sulmuesit shqiptar gjatë huazimit te Trabzonspor ka hapur një front të ri bisedimesh me Besiktasin, klub që zotëron kartonin e tij.
Sipas mediave turke, drejtuesit e Trabzonsporit po kërkojnë uljen e shifrës së blerjes të vendosur prej 8.5 milionë eurosh, ndërsa klubi nga Stambolli mbetet i palëkundur në kërkesën e tij. Qëndrimi i fortë i Besiktasit lidhet drejtpërdrejt me performancën e 24-vjeçarit, i cili ka realizuar 13 gola dhe ka dhuruar 5 asistime në 29 ndeshje në të gjitha kompeticionet.
Muçi ka kontratë me Besiktasin deri më 30 qershor 2027 dhe nëse marrëveshja mes palëve nuk arrihet, ai mund të rikthehet në Stamboll për t’u shndërruar në një nga emrat më të kërkuar të merkatos verore.
Megjithatë, ndikimi i tij në fushë dhe popullariteti i madh te tifozët në Trabzon e bëjnë klubin bardhekaltër të vendosur për ta mbajtur. Plani i drejtuesve është rishikimi i buxhetit të transferimeve për të gjetur formulën financiare që do ta bindte Besiktasin, ndërsa lojtarit i ofrohet një kontratë tre vjeçare.
Negociatat pritet të jenë vendimtare në javët e ardhshme, me Muçin që mbetet një nga protagonistët kryesorë të merkatos në Superligën turke të futbollit.
Komente








