Ora 19:00 Avioni i marrë me qera nga Vilson Lamaj
Avioni me drogë ishte marrë me qera për udhëtim turistik nga Vilson Lamaj i cili kishte leje fluturimi për avion sportiv pa pasagjerë.
Ora 13:00 Grupi faresinor i trafikatëve
Tre vëllezër nga Babicë e Vlorës drejtonin organizatën e trafikut të drogës me avion nga Shqipëria në Itali duke përdorur një rrugë të fshatit Xhelilaj dhe një pistë të vjetër në Brindizi.
Nën operacionin e koduar “Fluturimi i Lirë”, ata kanë rënë në pranga së bashku me 11 bashkëpunëtorët e tyre, ku rezultojnë të jenë pjesëtarë të një fisi me lidhje gjaku mes tyre.
Hetimet për zbardhjen e aktivitetit kriminal të këtij grupi dhe prangosjen e tyre kanë nisur një muaj më parë më 15 korrik, për t'u finalizuar në një ndërhyrje të përbashkët të policisë italiane dhe asaj shqiptare mëngjesin e 24 gushtit.
Burime nga krimet e rënda për A1Report deklaruan se kreu i kësaj organizate rezulton Sokol Çuman Burhamaj (Lamaj), pilot i avionit vëllai i tij Vilson Lamaj si dhe koordinator i grupit Artojn Lamaj.
Në goditjen e këtij grupi në pranga përfunduan 14 persona mes tyre dhe një efektiv i policisë shqiptare i cili shërbente si informator i grupit kriminal dhe u sekuestrua një avion model “Ultra Legera” me 120 kg në Brindizi.
Të arrestuarit janë ndaluar në dy grupe, 6 prej tyre në Shqipëri në qytetin e Vlorës dhe 8 të tjerë nga policia italiane, ndërsa të arrestuarit në Shqipëri ku bëjnë pjesë dhe drejtuesit e kësaj organizate kriminale janë mbajtur nën vëzhgim me 24 agjentë në terren.
Pas rastit të pilotit Italian Giorgio Riformato që u kap pasi u rrëzua në Divjakë me rreth gjysëm toni drogë në bordin e avionit Piper, ky është rasti i parë që zbulohet një mënyrë e tillë trafiku me hetime të kryera nga policia dhe prokuroria shqiptare.
Rreth 1 vit më parë qeveria u përball ashpër me akuzat se nga brigjet shqiptare nisen avionë të ngarkuar me canabis sativa drejt Italisë.
Ministria e Brendshme në atë kohë mohoi një fakt të tillë dhe po ashtu edhe min e mbrojtjes që përjashtoi mundësinë e përdorimit të pistave ushtarake për uljen e avionëve të drogës.
Ora 11:50 24 agjentë vëzhguan 6 të arrestuarit
Policia e Shteti ka mbajtur që prej muajit korrik nën vëzhgim personat e përfshirë në trafikun drogës. A1 Report ka mësuar se, 24 agjentë janë përfshirë në vëzhgimin e 6 personave të arrestuar. Agjentët kanë qenë 24 orë në ndjekje dhe gjurmim të këtyre personave. Mësohet se, ka qenë i vështirë infiltrimi në këtë grup kriminal pasi të gjithë pjesëtarët kanë lidhje farefisnore dhe gjaku mes tyre.
Ora 11:40 Sokol Burhamaj kreu i bandës
Kreu i organizatës që merrej me trafikimin e marijuanës nga Shqipëria në Itali mësohet se është Sokol Burhamaj. Të gjithë të arrestuarit kanë lidhjes farefisnore mes tyre. A1 Report ka mësuar se autoritetet shqiptare i kanë dhënë leje për fluturim avionit të përfshirë në trafik me qëllim zbulimin e rrjetit të trafikimit. Ndërkohë gjithashtu mësohet se të arrestuarit në Shqipëri kanë mohuar përfshirjen në trafikun drgoës.
(Efektivi i Policisë së Vlorës Vladimir Zanaj, Shef i Sektorit të Burimeve Njerëzore i arrestuar si pjesë e operacionit "Flurimi i Lirë")
Ora 11:20 Mes të arrestuarve shefi i personelit të Policisë Vlorë
Policia e Shtetit ka bërë të ditur informacionin plotë mbi operacionin e koduar “Flurimi i lirë”, ku u arrestuan në total 14 persona, 8 në Itali dhe 6 në Shqipëri që të gjithë shtetas shqiptarë. Mes të arrestuarve është drejtuesi i avionit, Vilson Lamaj, 26 vjeç i arrestuar në Itali dhe punonjësi i policisë, Vladimir Zanaj, i arrestuar në Vlorë.
“Autoritet u vunë në dijeni për aktivitetin që do të trafikonte drogën nga Shqipëria. Janë mbajtur nën kontroll personat e dyshuar për një muaj. Policia identifikoi personat e përfshirë dhe i ka mbajtur në vëzhgim në bashkëpunim me policinë italiane”, tha Ardian Çipa, Drejtor i Pergjithshëm për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda.
“Mëngjesin e 24 gusht Vilson Lamaj është nisur nga Italia dhe është ulur rreth orës 7:00 në fshatin Xhelilaj në Vlorë pranë Sevasterit ku ka marrë 120 kg marijuanë. Lëvizjet e avionit ishin pjesë e procedimit penal duke i kontrolluar të gjitha lëvizjet. Policia ka ndaluar në orët e natës 6 persona mes tyre dhe një punonjës policie”, shtoi Çipa.
Për shkak të sekretit hetimor shumë detaje nuk mund t’i bëjmë prezent, tha Çipa ndërkohë që u theksua se hetimi është i përbashkët i hapur dhe provat po administrohen nga të dy autoritetet e të dy shteteve.
Personat e ndaluar në Shqipëri janë:
- Neko Bruhamaj, 45 vjeç, lindur e banues Ramicë, Vlorë
- Fatos Bruhamaj, 30 vjeç, lindur në Ramicë e banues në Vlorë
- Fadil Shahaj, 53 vjeç, lindur në Vllahinë e banues në Vlorë
- Igli Shahaj, 22 vjeç, lindur në Vllahinë e banues në Vlore
- Sokol Lamaj (Burhamaj), 34 vjeç, lindur e banues në Babice e Madhe Vlorë,
si edhe efektivi i Policisë së Vlorës Vladimir Zanaj, Shef i Sektorit të Burimeve Njerëzore.
Në Itali janë arrestuar 8 persona, rezidentë në shtetin fqinj:
- Elizer Ahmetaj, 27 vjeç
- Xhesian Ahmetaj, 21 vjeç
- Arshi Ahmetaj, 29 vjeç
- Artjon Lamaj, 29 vjeç
- Kleo Lamaj, 30 vjeç
- Bukurosh Këshilli, 25 vjeç
- Virjon Imeraj, 32 vjeç
si edhe Vilson Lamaj, pilot i avionit.
(Avioni që përdorej për transportin e marijuanës nga Shqipëria në Itali)
Deklarata e plotë e policisë
Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë italiane dhe Prokurorinë për Krime të Rënda ka finalizuar në orët e para të mëngjesit të sotëm, operacionin ndërkombëtar kundër trafikimit të lëndëve narkotike të koduar “Fluturimi i lirë”, duke vënë në pranga 14 persona.
Procedimi penal nr. 203, është rregjistruar në mesin e muajit Korrik 2015, duke shkëmbyer vazhdimisht informacion dhe koordinuar veprimet mes Policisë shqiptare dhe asaj italiane.
Autoritetet u vunë në dijeni për aktivizimin e një linje që do të trafikonte drogë, nga vendi ynë drejt Italisë.
Gjatë këtij hetimi pro-aktiv, duke aplikuar metoda speciale, për më shumë se 1 muaj, janë identifikuar dhe mbajtur nën kontroll personat e dyshuar si të implikuar
në këtë veprimtari kriminale dhe u shkëmbye informacion me autoritetet italiane.
Linja e trafikut, ishte planifikuar të kryhej përmes përdorimit të një avioni të vogël.
Policia shqiptare identifikoi menjëherë personat e përfshirë në rrjet dhe i mbajti ata nën vëzhgim. Në koordinim me homologët italianë, nëpërmjet shërbimit Interforce, u godit i gjithë grupi, pas dokumentimit të linjës së trafikimit.
Në këtë kuadër, mëngjesin e datës 24 gusht 2015, avioni i vogël i drejtuar nga shtetasi Vilson Lamaj është është nisur nga Italia me destinacion vendin tonë, duke u ulur në orën 07:02 minuta, në një zonë pa shumë lëvizje në afërsi të fshatit Xhelilaj, pranë Sevasterit në Vlorë, ku edhe ka ngarkuar një sasi prej 120 kg marijuanë.
Në momentin e uljes së avionit në Brindizi, policia italiane ka arrestuar shtetasin shqiptar Vilson Lamaj dhe bllokoi lëndën narkotike.
Theksojmë se lëvizjet e avionit, përgatitja, intinerari dhe ngarkimi i lëndës narkotike në momentin e uljes, ishin pjesë e procedimit penal dhe bashkëpunimit ndërmjet Policisë Shqipëtare dhe Italiane, duke përdorur edhe metodat speciale të hetimit, për të kontrolluar të gjitha lëvizjet dhe për të dokumentuar përgjegjësinë penale të të gjithë autorëve.
Sapo mjeti fluturues ka zbritur në tokën italiane, është kryer bllokimi i tij.
Ndërkohë që policia shqiptare ka ndaluar në orët e natës 6 persona, të përfshirë në këtë trafik ndërkombëtar droge, mes tyre edhe 1 punonjës policie.
Në vijim të këtij hetimi, vazhdon bashkëpunimi me Policinë italiane për thellimin e hetimit për të gjithë personat e implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Falënderojmë për bashkëpunimin misionin Interforce dhe strukturat homologe në Itali.
10:45 Linja e transportit Vlorë-Brindisi
Avioni i mbushur me marijuanë u sekuestruar nga policia italiane. Avioni i verdhë i nisur nga Shqipëria është ulur në një pistë të vogël në Costa Merlata në Ostuni. Ndërsa dyshoeht se avioni është nisur Vlora duke përdorur një rrugë të vjetër në fshatin Xhelilaj. Policia italiane ka bërë të ditur se dyshohet se grupi ka bërë transport të drogës nga Shqipëria në Itali edhe me mjete të tjera.
(Pista në Costa Merlata ku është ulur avioni)
Avioni i vogël i ngarkuar me marijuanë është pilotuar nga një 26-vjeçar shqiptar, Vilson Lamaj. Shqiptari e ka ulur avionin në Costa Merlata dhe policia e ka mbajtur fillimisht nën kontroll duke mos ndërhyrë. Një napolitan 32-vjeçar me furgon priste të merrte ngarkesën e marijuanës. Avioni besohet se ka udhëtuar nga Shqipëria për në Itali me 2-3 çanta që mbanin 128 kg marijuanë.
(Marijuana e sekuestruar)
Nga hetimet paraprake mendohet se avioni është larguar pak ditë më parë nga Romagna, ka shkuar në Shqipëri ku është ngarkuar me marijuanë dhe më pas është kthyer në Costa Merlata.
1 vit pas "Divjakës"
Operacioni “Flurimi i Lirë” vjen 1 vit pas rastit të pilotit italian, Giorgio Riformato që u rrëzua në Divjakë me rreth gjysmë ton drogë në avion. Ky është rasti i parë që provohet një mënyrë e tillë trafiku. Rreth 1 vit më parë qeveria u përball ashpër me akuzat se nga brigjet shqiptare nisen avionë të ngarkuar me canabis sativa drejt Italisë. Ministria e Brendshme në atë kohë mohoi një fakt të tillë dhe po ashtu edhe Ministria e Mbrojtjes që përjashtoi mundësinë e përdorimit të pistave ushtarake për uljen e avionëve të drogës.