TIRANË - GJKKO ka shpallur vendimin për disa të pandehur të lidhur me veprat penale të trafikimit të narkotikëve dhe pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal.

Nga hetimet e SPAK, rezultoi se këta persona ishin pjesë e një grupi kriminal që akuzohet për trafik droge nga Siria e Turqia në Shqipëri dhe më pas në BE. 

SPAK thotë se nga hetimi është dokumentuar veprimtaria e një grupi të strukturuar kriminal, i cili e shtrinte aktivitetin kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike nga  vendet e Lindjes së Mesme, Turqi, Greqi, Shqipëri me destinacion Italinë dhe vendet e tjera të BE-së.

Grupi e ka ushtruar veprimtarinë nga viti 2020 e në vazhdim, ndërsa institucionet ligjzbatuese kanë mundur të sekuestrojnë sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike në Durrës, Tiranë, Vlorë, Shkodër, Gjirokastër, Maqedoninë e Veriut, në Greqi dhe Itali, në tetë episode trafikimi të lëndëve narkotike të llojit “Kokainë”,“Heroinë”,“Marijuanë”, “Risinë”. Vlera e drogës së sekuestruar është rreth 2.7 ml euro. 

Rrjeti kriminal prej 21 personash u zbulua nga SPAK dhe prokuroria e Firences pas hetimeve mbi ngarkesat me kanabis që vijonte nga Siria dhe heroinën që mbërrinte nga Turqia në Itali, duke kaluar përmes Shqipërisë.  Kreu i grupit kriminal dyshohet se ishte Endrit Bakiu, i cili është arrestuar në vitin 2021 në Durrës ku iu gjetën 30 kg kanabis në formë çokollate. 

8 episodet e kapjes së drogës

I pari ishte ai 9 shkurtit 2021 në Durrës ku u sekuestruan 30.6 kg marijuanë e presuar në formë çokollate. Në atë kohë u arrestua Endrit Bakiu, një nga personazhet kryesorë të grupit me 77 pako me peshë 30.6 kg.

Kapja e tij u bë pranë mbikalimit të Plepave pas kontrollit të automjetit tip “Porsche” që drejtohej nga Bakiu. Në atë kohë, policia bëri me dije se lënda narkotike nuk ishte prodhuar në Shqipëri, por e trafikuar nga një vend tjetër, që rezulton të jetë Siria. Mbi pakot e lëndës narkotike ishte pikturuar edhe gjethja e kanabisit.

Në vijim një sasi prej 15 kilogramë heroinë u sekuestrua në Kakavijë me 2 qershor, ndërsa në pranga ranë Pirro Çapi dhe Shpëtim Pjeshka. Po në atë muaj, në datën 26 u sekuestruan 17 kg heroinë në Shkodër teksa po transportohej për llogari të grupit kriminal.

Në 3 gusht, po në Shkodër u sekuestruan 14.7 kg kokainë dhe u arrestua Besnik Ruçi. Automjeti tip "Benz" u ndalua në vijën e dytë të kontrollit në pikën e Muriqanit, ndërsa lënda narkotike u gjet e ndarë në pako, në kroskotin e makinës. Më 12 tetor anëtarëve të këtij grupi kriminal iu sekuestruan 67.5 kg kanabis në Maqedorni të Veriut dhe 21 kg kokainë më 16 nëntor 2021 në Itali.

Në 8 gusht 2020 u arrestua Leonard Nergjoni. Bashkë me një tjetër person ai tentoi të kalojë 32 kg kanabis sativa përmes kufirit të gjelbër nga Librazhdi në Maqedoninë e Veriut. Pasi u pikasën nga policia ata u larguan duke braktisur mjetin dhe drogën, por policia arriti të kapë Nergjonin, ndërsa tjetri u shpall në kërkim.

Në mars 2014 u sekuestruan në Korçë 600 kg kanabis dhe u arrestua Tomi Hila. Gjatë kontrollit në furgon, u gjet lënda narkotike. Edmond Kabashi është arrestuar në 2015-ën në Greqi për transportimin e 240 kilogramë  kanabis të cilat u zbuluan në mjetin që udhëtonte nga Kapshtica drejt Athinës.

1 - Endrit Bakiu u dënua me 1 (një) vit dhe 4 (katër) muaj burgim.
2- Sulo Pajo u dënua me 13 (trembëdhjetë) vjet burgim.
3- Arian Tola u dënua me 8 (tetë) vjet burgim.
4- Fadjon Cami u dënua me 8 (tetë) vjet burgim.
5- Viron Lekaj u dënua me 8 (tetë) vjet burgim.
6- Artan Agalliu u dënua me 8 (tetë) vjet dhe 8 (tetë) muaj burgim.
7- Shpëtim Pjeshka u dënua me 8 (tetë) vjet dhe 8 (tetë) muaj burgim.
8- Jani Çavo u dënua me 8 (tetë) vjet dhe 8 (tetë) muaj burgim.
9- Kudret Rustemaj u shpall i pafajshëm
10- Besnik Ruçi, u dënua me 8 (tetë) vjet burgim.
11- Pirro Çapi u dënua me 8 (tetë) vjet dhe 8 (tetë) muaj burgim.
12- Jani Meçja u dënua me 8 (tetë) vjet burgim.
13- Edmond Kabashi u dënua me 8 (tetë) vjet burgim.
14- Mirash Gjoni u lirua por iu hoq e drejta për funksione publike për një afat kohor 5 vjeçar.
15- Sonila Sula u shpall e pafajshme dhe iu shua masa e detyrimit të paraqitjes.
16- Artur Sulaj u dënua me 10 (dhjetë) vjet burgim.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Lajmi ne perditesim...