17 emra të njohur të botës së krimit, mes të cilëve edhe Rexhep Rraja, djali i ish deputetit socialist Rrahman Rraja, apo Endrit Dokle, janë dërguar për gjykim nga SPAK si anëtarë të një grupi të strukturuar në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Prokurorisë së Posaçme i janë dashur dy vite për të përfunduar hetimet, dhe këtë të martë ia ka dërguar dosjen Gjykatës së Posaçme, bashkë me kërkesën për gjykim. Bëhet fjalë për tre episode të dokumentuara të trafikut me rreth 2 tonë kanabis dhe 475 kilogramë marijuanë dhe kokainë të sekuestruara në tri shtete të ndryshme.

Në fokus të hetimeve janë komunikimet përmes platformës së enkriptuar SkyECC, përmes së cilës, sipas Prokurorisë së Posaçme, të dyshuarit kanë koordinuar aktivitetin e tyre kriminal. Dosja përfshin tre episode të trafikut ndërkombëtar të drogës, të regjistruara mes nëntorit të vitit 2020 dhe janarit 2021.

Më 3 nëntor 2020, në Mal të Zi u sekuestruan 1.722 kilogramë marijuanë, e nisur nga Shqipëria me destinacion përfundimtar Gjermaninë. Njëzet ditë më vonë, në portin e Vlissingen, në Holandë, autoritetet sekuestruan 475 kilogramë kokainë, të transportuara nga Ekuadori.

Ndërsa më 26 janar 2021, në Turqi u sekuestruan rreth 236 kilogramë marijuanë, e nisur nga Shqipëria. Në total, në këto tri episode janë sekuestruar rreth 2.433 kilogramë lëndë narkotike. Sipas përfundimeve të hetimit, Emiljan Burba, Rexhep Rraja dhe Ervis Shuli dyshohet se kanë pasur rolin e drejtuesve dhe financuesve të aktivitetit kriminal, ndërsa të pandehurit e tjerë akuzohen për pjesëmarrje në këtë veprimtari.

Në mesin e 17 të pandehurve janë edhe Bujar Sefa, i njohur me pseudonimet Xaka dhe Lala, Marvin Bushati, Jani Çavo, Përparim Rraja, Gazmir Rraja dhe persona të tjerë. Përveç akuzave për trafik narkotikësh dhe grup të strukturuar kriminal, Marvin Bushati akuzohet edhe për mbajtje pa leje të armëve dhe municionit, të sekuestruara në banesën e tij gjatë ekzekutimit të masës së sigurimit personal, më 10 dhjetor 2025.

Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë në disa vende, mes tyre Franca, Gjermania, Holanda, Belgjika, Mali i Zi, Turqia dhe Ekuadori, si dhe me Eurojust, Europol, Policinë e Shtetit dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.

Ndërkohë, për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të grupit dhe vijimin e hetimeve pasurore, SPAK ka regjistruar një procedim të ri penal, me fraksion.

Të pandehurit
Emiljan Burba
Rexhep Rraja
Ervis Shuli
Bujar Sefa (alias Xaka, alias Lala)
Marvin Bushati
Jani Çavo,
Përparim Rraja,
Gazmir Rraja,
Bledar (alias Blerti) Cafi
 Endrit (alias Indrit) Dokle
 Zamir Aliaj (alias Çoku)
Islam Sefa (alias Xaka),
Hajdar Sefa (alias Xaka, alias Lala),

 Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.