Një familje shqiptare me 4 anëtarë u shua në Luka të Italisë mbrëmjen e së mërkurës. Katër antarët e familjes Kola u asfiksuan nga gazi i padukshëm që dyshohet se mund të ketë rrjedhur nga kaldaja në banesë.

Në lidhje me këtë fatalitet shefi i shërbimit të toksikologjisë në QSUT, Andrin Tahiri i ftuar në ‘Shtypi i Ditës dhe Ju’, tha se monoksidi i karbonit është një gaz i padukshëm dhe vdekjeprurës.

 “Është një fatkeqësi e madhe, fjala e fundit i mbetet ekspertizës për të zbardhur shkaqet e vërteta të vdekjes. Nëse si apriori mendohet se është monoksidi karbonit, është një vdekje fatale. Monoksidi i karbonit është një gaz i padukshëm, nuk ka erë, vdekjeprurës dhe nuk ndihet. Helmimi është i sigurt dhe i shpejtë”, tha Andrin Tahiri.

Ndër të tjera Tahiri shpjegoi monoksidi i karbonit formohet kur karboni nuk oksidohet.

“Është një gaz toksik që formohet nga djegia jo e plotë- pra një djegie e plotë ndodh si proces në prani të oksigjenit të mjaftueshëm ose kur ka hiperventilim dhe përfundon procesin me dioksid karboni dhe ujë. Një gaz që nuk është aq toksik sa monoksidi i karbonit. Kurse monoksidi i karbonit është procesi i djegies që ndodh kur nuk ka oksigjen të mjaftueshëm ose nuk ka ventilim të ambienit. Në këtë mënyrë karboni nuk oksidohet dhe formohet monoksidi i karbonit që është vdekjeprurës”, shtoi ai teksa theksoi se qytetarët duhen të kenë kujdes veçanërisht te ngrohëset që punojnë me karburant (përfshirë kaldajat dhe sobat gjithashtu)", tha ai.

Tahiri nënvizon se në çdo mjedis që ka një pajisje për ngrohje veçanërisht te ngrohëset që punojnë me karburant është i rëndësishëm procesi i ventilimit ose ajrimi.

 “Në një mjedis që ke ngrohje me djegie, ventilimi ështe një proces shumë i rëndësishëm. Në momentin e parë të helmimit ke gjithmonë ke  të përzieria, marrje mendsh, hapen dritaret nga ai person që është më pak i vetëdijshëm se të tjerët dhe urgjentisht kërkohet asistencë mjekësore. Personat që marrin ndihmën në spital janë raste fatlume”, tha ai teksa shtoi se zgarat që bëhen në ambiente të mbyllura janë gjithashtu shumë të rrezikshme pasi mund të shkaktojnë formimin e monoksidit të karbonit.

Në fund të intervistës Tahiri tha se vendosja e një detektori për monoksidin e karbonit në banesë apo mjedise ku përdoren këto pajisje ngrohje (kaldaja) mund të parandalojnë ngjarje të tilla.

“Detektori i monoksidit të karbonit është një aparat që vendoset në vendet e punës apo në shtëpi. Aparati jep sinjalet e para se diçka në një mjedis të caktuar nuk është në rregull”, përfundoi ai.